Pekini nxit respektimin e rrugëve të ndryshme të zhvillimit të të drejtave të njeriut
2022-09-14 16:09:34

foto/VCG

foto/VCG

Kina i kërkoi të martën Zyrës së Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut (OHCHR) të respektojë rrugën e zhvillimit të të drejtave të njeriut të çdo vendi.

Chen Xu, përfaqësues i Misionit të Përhershëm të Kinës në Zyrën e OKB-së në Gjenevë dhe organizata të tjera ndërkombëtare në Zvicër, i tha këto në emër të 30 vendeve në sesionin e 51-të të rregullt të Këshillit për të Drejtat e Njeriut të OKB-së (UNHRC), për diskutimin e raportit të të drejtave të njeriut.

Me ringjalljen e COVID-19 që ka ndikuar në zhvillimin ekonomik e shoqëror, veçanërisht në vendet në zhvillim, Chen tha se më shumë vëmendje duhet t'u kushtohet të drejtave ekonomike, shoqërore, kulturore, zhvillimore dhe shëndetësore të njerëzve. OHCHR-ja duhet të ketë si përparësi çrrënjosjen e pabarazisë dhe të ndihmojë vendet në zhvillim të kapërcejnë pandeminë e të arrijnë zhvillim të qëndrueshëm, shtoi ai.

Chen i bëri thirrje gjithashtu OHCHR-së që të rrisë ndihmën për të drejtat e njeriut, veçanërisht në vendet në zhvillim, me miratimin e këtyre vendeve.

UNHRC-ja duhet të jetë një platformë për dialog e bashkëpunim konstruktiv, dhe të gjitha palët duhet të shmangin politizimin e saj, vuri në dukje përfaqësuesi kinez.

Duke theksuar se çelësi i bashkëpunimit të suksesshëm ndërmjet OHCHR-së dhe vendeve anëtare është respekti dhe besimi i ndërsjellë, Chen tha se, kur negocion me anëtarët, OHCHR-ja duhet të respektojë informacionin e dhënë nga të gjitha palët.(Artan)