Ministri turk paralajmëron Greqinë: Mos provokoni, do të vuani pasojat!
2022-09-14 10:26:51

Foto: VCG

Vijojnë të përshkallëzohen tensionet mes Turqisë dhe Greqisë për ishujt e çmilitarizuar në detin Egje. Ministri i jashtëm turk, Mevlut Çavuşoğlu, ka paralajmëruar Greqinë se nëse vijon provokimet do të vuajë pasojat, citon “RTSH”.

Gjatë fjalës në ceremoninë përkujtimore të fitores së turqve kundër grekëve 100 vjet më parë, ministri i ka bërë thirrje Greqisë që të mos bëhet peng i së shkuarës, pasi, siç theksoi ai, miqësia e Turqisë është e lashtë, armiqësia e saj është e rëndë.

“Ky është vendi ku ne shpëtuam Anadollin, atdheun e lashtë turk, nga mizoritë greke... Nëse i futesh një aventure në emër të të tjerëve, pasojat do t'i vuash sot si në të kaluarën. Ky është një paralajmërim për fqinjin tonë Greqinë. Ushtria turke, e lodhur nga vitet e luftës, e ka kaluar me sukses këtë test të madh. Sot kushtet tona janë të ndryshme, por kemi të njëjtin besim të palëkundur. Të gjithë duhet të vendosin. Ne i themi veçanërisht Greqisë, mos u bëj peng i të tjerëve. Mos vazhdo të provokosh!”- tha ministri Çavuşoğlu.

Presidenti Rexhep Tajip Erdogan më 3 shtator paralajmëroi Athinën që të mos shkojë “shumë larg” pasi në të kundërt do të paguajë çmim të rëndë. (Elona)