Trenat Kinë-Europë kanë kryer mbi 10 mijë udhëtime sivjet
2022-09-14 19:46:14

foto/VCG

foto/VCG

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Kinës Mao Ning u shpreh në një konferencë shtypi të mbajtur të mërkurën se, në kontekstin e ngadalësimit të zinxhirit të furnizimit global dhe rritjes së dobët të ekonomisë botërore, trenat Kinë-Europë kanë bërë mbi 10 mijë udhëtime, gjë që është një lajm inkurajues. 
Sipas njoftimeve, treni i 10 000-të Kinë-Evropë për këtë vit ka mbërritur në Europë disa ditë më parë, 10 ditë më herët se vitin e kaluar.
Duke iu përgjigjur pyetjeve përkatëse, zëdhënësja tha:

“Deri tani janë në funksionim 82 linja të trenave Kinë-Europë, që arrijnë në 200 qytete të 24 vendeve europiane, duke u bërë 'përshpejtues' të tregtisë kino-europiane, duke forcuar zhvillimin ekonomik-shoqërore në vendet përgjatë linjave hekurudhore, duke luajtur rol të rëndësishëm për të stabilizuar zinxhirët globalë të industrisë e të furnizimit dhe duke nxitur rimëkëmbjen e ekonomisë botërore pas pandemisë". 

Mao Ning u shpreh më tej se Kina dhe Europa janë partnere të rëndësishme ekonomiko-tregtare dhe forca të rëndësishme për ndërtimin e një ekonomie të hapur botërore. Pavarësisht ndikimit të faktorëve kompleksë si epidemia, bashkëpunimi ekonomik-tregtar ndërmjet Kinës e Europës ka treguar qëndrueshmëri e gjallëri të madhe. Në vitin 2021, vëllimi i tregtisë dypalëshe i kaloi 820 miliardë dollarët, duke shënuar rekord të ri. Në gjysmën e parë të këtij viti, sipas të dhënave të fundit nga "Eurostat"-i, vlera e tregtisë e 27 vendeve të BE-së me Kinën ishte 413.9 miliardë euro, duke u rritur 28.3% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Këto shifra tregojnë se Kina e Europa kanë lidhje të ngushta ekonomike dhe potencial të madh bashkëpunimi. 

Zëdhënësja theksoi gjithashtu se, përballë një situate ndërkombëtare komplekse, bota ka nevojë për më shumë ura dhe rrugë, jo për mure. Drejtimi i duhur i marrëdhënieve kino-europiane është bashkëpunimi për  të arritur zhvillimin e begatinë dhe për të promovuar bashkëpunimin ndërkombëtar e përparimin njerëzor.  (Fang Xiaoyu/Artan)