Pakistani shpërndan paketa ndihmash ushqimore të dhuruara nga Kina në provincën Balochistan
2022-09-13 13:11:00

Foto: Xinhua

Paketat e ndihmës ushqimore nga Kina u shpërndanë të dielën në provincën jugperëndimore të Pakistanit Balochistan mes përmbytjeve të rënda të fundit në vendin e Azisë Jugore, njofton “Xinhua”.

Ndihmat u shpërndanë për qindra persona të prekur nga përmbytjet.

Ministri i Pakistanit për Kontrollin e Narkotikëve, Nawabzada Shazain Bugti, falënderoi Kinën për ndihmën e saj në kohë të vështira. Ai theksoi se Pakistani pret të thellojë bashkëpunimin me Kinën për të përmirësuar ndërtimin e infrastrukturës në arsim, kujdesin mjekësor dhe në fusha të tjera.

Ambasadori kinez në Pakistan, Nong Rong, deklaroi se qeveria kineze i kushton shumë rëndësi ndihmës së vëllezërve dhe motrave pakistanezë që janë goditur nga përmbytjet, pasi të dy vendet kanë një traditë të gjatë për të ndihmuar njëri-tjetrin në kohë krize.

“Populli kinez nuk do ta harrojë kurrë se Pakistani dhuroi të gjitha tendat e tij strategjike rezervë kur një tërmet i fortë goditi Wenchuan në provincën Sichuan të Kinës në vitin 2008”,- tha ambasadori.

Ai tha se Kina pret të forcojë bashkëpunimin me Pakistanin dhe të bëjnë përpjekje të përbashkëta për të ndërtuar një atdhe më të mirë.

Sipas të dhënave të fundit nga Autoriteti Kombëtar i Menaxhimit të Fatkeqësive të vendit (NDMA), përmbytjet kanë shkaktuar 1396 viktima dhe 12.728 të plagosur, që nga mesi i qershorit. (Fatosi)