Kina i kushton rëndësi të madhe mbrojtjes së të drejtave të viktimave të terrorizmit
2022-09-13 20:43:10

foto/VCG: Xinjiang

foto/VCG: Xinjiang

Ditët e fundit, Zyra e OKB-së kundër Terrorizmit zhvilloi në selinë e OKB-së në Nju-Jork Konferencën Globale për Viktimat e Terrorizmit. Lidhur me këtë, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Kinës Mao Ning u shpreh të martën se Kina i kushton rëndësi të madhe mbrojtjes së të drejtave të viktimave të terrorizmit dhe ka dërguar një delegacion të posaçëm të nivelit të lartë për të marrë pjesë në këtë konferencë. 

Mao Ning tha se në fjalimin e palës kineze, u paraqitën katër propozime: goditja me vendosmëri e të gjitha formave të terrorizmit, çrrënjosja plotësisht e bazave të terrorizmit, zgjidhja në mënyrë efektive e shkaqeve rrënjësore të terrorizmit dhe ndihma ndaj viktimave të terrorizmit. Kina u bëri thirrje të gjitha palëve të përkrahin aktivisht Nismën e Sigurisë Globale të paraqitur nga presidenti Xi, të praktikojnë konceptin e sigurisë së përbashkët, gjithëpërfshirëse, bashkëpunuese e të qëndrueshme dhe të përpiqen të ndërtojnë një botë me paqe të qëndrueshme dhe siguri universale, duke u pranuar gjerësisht nga të gjitha palët.

“Vlen të përmendet veçanërisht se në këtë konferencë, një vajzë viktimë e terrorizmit nga Rajoni Autonom i Xinjiang-Ujgurit, tregoi historinë e sakrificës heroike të babait të saj si një punonjës i policisë popullore duke luftuar terroristët, dhe foli për ndihmën e qeverisë ndaj familjes së saj, duke u pritur ngrohtësisht nga pjesëmarrësit. Ata shprehën mirëkuptimin dhe përkrahjen për veprimet kundër terrorizmit në Xinjiang. Një prej tyre tha se u prek pasi dëgjoi historinë e saj, dhe mësoi më shumë për situatën e luftës kundër terrorizmit në Xinjiang dhe për përpjekjet e Kinës,” tha Mao Ning.

  Zëdhënësja e diplomacisë kineze shtoi në vijim se terrorizmi është armiku i përbashkët i mbarë njerëzimit. Kina do të vazhdojë të marrë pjesë aktivisht në bashkëpunimin ndërkombëtar kundër terrorizmit, do të përkrahë rolin koordinues qendror të OKB-së, do të luftojë terrorizmin e të gjitha formave, do të mbrojë të drejtat e viktimave dhe do të japë kontribut të ri për luftën ndërkombëtare kundër terrorizmit.  (Fang Xiaoyu/Artan)