Mbreti Charles III flet për peshën e historisë në fjalimin në Parlament
2022-09-13 10:43:01

Foto: VCG

Mbreti i Britanisë Charles III tha se ndjente peshën e historisë dhe u zotua të ndiqte shembullin e dhënë nga nëna e tij e ndjerë, mbretëresha Elizabeth II, në fjalimin e tij të parë në parlament të hënën, njofton “Xinhua”.

“Ndërsa jam para jush, nuk mund mos të ndiej peshën e historisë që na rrethon dhe që na kujton traditat jetike parlamentare, të cilave anëtarët e të dy Dhomave i dedikoheni me një përkushtim të tillë personal për të mirën e të gjithëve”,- u shpreh mbreti Charles gjatë fjalimit në “Westminster Hall”, ndërtesa më e vjetër në pronën parlamentare.

Mbreti Charles III u ngjit në fron pas vdekjes së nënës së tij, monarkes më jetëgjatë të Britanisë, mbretëreshës Elizabeth II, në moshën 96-vjeçare, të enjten. Ai u shpall zyrtarisht monarku i ri i Britanisë në një takim të Këshillit të Aderimit në Pallatin St James të shtunën.

“Ajo dha një shembull të detyrës vetëmohuese të cilën, me ndihmën e Zotit dhe këshillat tuaja, jam i vendosur ta ndjek me besnikëri”,- tha kreu i ri i fronit mbretëror.

Funerali shtetëror i mbretëreshës do të bëhet në “Westminster Abbey”, më 19 shtator, ka njoftuar “Buckingham Palace”. (Fatosi)