Paketa antikrizë, rritja e pensioneve, pagave dhe ndihma ekonomike
2022-09-12 13:58:59

Foto nga apel media

Situata e krijuar me rritjen e çmimeve e ka detyruar qeverinë te marre masa, duke hartuar një paketë antikrizë që i vjen në ndihmë qytetarëve në kategori të caktuara. Kryeministri Edi Rama tha se do të rriten pagat për administratën, indeksohet me 7.5%, pagesa për personat me aftësi të kufizuara,10% rritje ndihma ekonomike, dyfishim i saj për gratë kryefamiljare me dy fëmijë. Kjo paketë   prek rreth 1.2 milionë subjekte, individë, përfshirë edhe biznese. Kryeministri tha se ajo që shqetëson sot mbarë botën është rritja eksponenciale e çmimeve, një inflacion që po kalon gjithë kufijtë e parashikimeve të bëra për zgjatjen e tij në kohë. Kreu i qeverisë theksoi ndër të tjera sa i përket energjisë elektrike, se edhe në vitin më të mirë Shqipërisë duhet të dalë në treg dhe të importojë energji.

“Kriza ka prekur të gjithë botën, të gjithë Evropën dhe natyrisht edhe Shqipërinë. Dua të jem sa më i përmbledhur se do të kemi kohë dhe ditë për të shpjeguar deri në detaje, ndërkohë që Ministrja e Financave dhe Ekonomisë si dhe Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës janë këtu bashkë me mua për të detajuar pjesë të caktuara të kësaj pakete, por unë do të mjaftohem duke thënë që paketa është konceptuar si një mbështetje afatmesme, jo si një mbështetje e përkohshme, e shtrirë një, dy apo tre muaj. Kjo  do të thotë se kemi marrë në konsideratë faktin që kjo krizë është e një natyre të paparashikueshme për kur e ka fundin e saj dhe angazhimi ynë është që t’u japim njerëzve tanë një mbështetje afatmesme, të qëndrueshme dhe të ndërhyjmë në një sërë drejtimesh ku ndërhyrjet janë aty për të qëndruar.”-thekson Kryeministri

Rama shpjegoi më tej se  indeksimi i pensioneve për këtë vit është 9.5%

 “Çfarë do të thotë? Pensionet indeksohen zakonisht një herë në vit, kjo ndodh ne muajin prill dhe janë indeksuar këtë vit pikërisht në muajin prill. duke marrë parasysh edhe efektin e  inflacionit, por për herë të parë do të riindeksohen. Pra, do të kemi një riindeksim të pensioneve të llogaritur me normën e inflacionit që shkon në 6,% duke u nisur nga indeksimi i mëparshëm por shkon në 9.5% si indeksim tërësor i këtij viti. Kjo do të ndodhe dhe për personat me aftësi të kufizuara,  për të cilët kemi indeksimin e përvitshëm. Bëjmë këtu një ndërhyrje për një indeksim me 7.5% për të gjithë personat me aftësi të kufizuara.”- tha Rama

Një ndërhyrje tjetër shumë e rëndësishme është në mbështetje të familjeve në nevojë, duke rritur me 10% ndihmën ekonomike për të gjithë dhe duke dyfishuar ndihmën ekonomike për gratë kryefamiljare me 2 fëmijë.

Foto nga ministria e financave

“ Do të rrisim edhe një herë me 10% ndihmën ekonomike, ndërkohë që do ta dyfishojmë ndihmën ekonomike për gratë kryefamiljare me dy fëmijë. Bëmë në paketën e parë të ndihmës ekonomike për gratë kryefamiljare me tre fëmijë tani ulemi dhe për gratë kryefamiljare me dy fëmijë. Pra, të gjitha gratë kryefamiljare të cilat janë në kushtet e papunësisë natyrisht do të marrin një ndihmë ekonomike të dyfishuar.”-shtoi kryeministri.

Në paketën e prezantuar kreu i qeverisë u zotua se do të ketë rritje pagash  për  grupe të veçanta.

“ Do të vazhdojmë programin e rritjes së pagave siç është paralajmëruar për sektorët prioritarë me buxhetin dhe në afatin e vitit të atrdhshëm, pasi kemi rritur me efekt nga muaji korrik pagat për ushtarakët, mjekët, infermierët, mësuesit do t’i rrisim përsëri. Sot me ndërhyrjen e dytë dhe me një paketë rezistence afatmesme do të rrisim pagat për administratën që nuk ishin prekur prej shumë kohësh dhe jo pa qëllim dhe do të rrisim pagat për policinë e shtetit dhe për policinë e burgjeve. Edhe këto trupa që kishin mosrritje pagash prej disa kohësh pas në rritje masive që patën marrë disa vite më parë.”-shtoi Rama.

Ndërkohë do të vazhdohet me mbështetjen  financiare për fermerët për naftën. Rama tha se vijon rritja e financimit, mbështetja për TVSH e peshkimit dhe  mbështetja për mos prekjen për çmimin e biletës së transportit.