MJK, planet për të frenuar biznesin e Gjermanisë me Kinën janë absurde
2022-09-10 16:28:11

Kina ka denoncuar planet që Gjermania po shqyrton për të frenuar biznesin me Pekinin, duke i quajtur ato “jashtëzakonisht absurde”. Njëkohësisht, grupet gjermane të biznesit paralajmëruan për goditjen e mundshme të një ekonomie, tashmë në prag të recesionit. 

Raportet treguan të enjten se ministria gjermane e Ekonomisë po konsideron një sërë masash për ta bërë biznesin me Kinën më pak tërheqës, duke synuar të ulë varësinë e ekonomisë më të madhe europiane nga superfuqia në rritje e Azisë.  

Masat mund të përfshijnë reduktimin apo edhe heqjen e garancive të investimeve dhe eksportit për Kinën dhe mospromovimin e mëteshëm të panaireve tragtare dhe trajnimit të menaxherëve atje, thanë për “Reuters” burime të njohura me këtë çështje.

E pyetur rreth këtyre njoftimeve, zëdhënësja e ministrisë së Jashtme të Kinës, Mao Ning, tha se nëse raportet rezultojnë të sakta, masat “nuk do kishin kuptim”, pasi ato do të dëmtonin interesat ekonomike të Gjermanisë. (Li Huailiang/Laçi)