Ajdi Qosja dhe ekipi i saj punojnë online për kompani ndërkombëtare
2022-09-09 12:05:51


Ajdi Qosja është diplomuar në Financë-Kontabilitet. Duke ndjekur pasionin e saj për të shkruarit, prej vitesh përmes “ARL Business” Ajdi arriti të ndërtojë ekipin e saj,  duke punuar remote për kompani ndërkombëtare. Ajo së fundi  ka krijuar edhe “OkAÝ”, një kompani që do të shquhet për mënyrën se si do të administrojë kompani lider në rrjetet sociale. Këshillat më të shpeshta të saj  janë  se si duhet të zotërojnë tregun studentët e rinj. Eksperienca personale si pjesë e ekipit të punës në distancë më ka aftësuar në procesin e kërkimit, thotë ajo për Grupin Mediatik të Kinës.

CMG: Ajdi, ju vetë jeni marrë me aplikime të  ndryshme deri në momentin që krijuat një rrjet për të punuar. Si duhet të jetë një aplikim i mirë?

Ajdi Qosja: Aplikimi për një punë të re është një proces kompleks, i cili kalon në disa faza me të cilat duhet të njihet çdo aplikant. Por, a ka mjaftueshëm edukim në këtë drejtim? Mungesa e theksuar e informacionit tregon se edukimi lidhur me punësimin si një proces është i pamjaftueshëm. Këtë e tregojnë sfidat me të cilat hasen të rinjtë kur iu duhet të aplikojnë për një pozicion të ri pune. Me zhvillimin e teknologjisë, shumë prej kompanive ofrojnë punësim hybrid për disa pozicione pune dhe një numër i pakët kompanish të japin komoditetin e të punuarit në distancë me kohë të plotë.

CMG: Si u punësuat online?

Ajdi Qosja: Unë fillimisht u angazhova vetë në punë online, por duke parë që nuk e përballoja dot  më vetëm, ndërtova një grup të vogël timin. Më pas gjithçka mori përmasa edhe më të mëdha.

CMG: Ku e keni gjetur motivin për të qënë e fortë dhe për të ecur përpara?
Ajdi Qosja:  Arsyeja që e bën njeriun të ecë përpara janë vetë njerëzit. Unë gjithnjë kam lexuar apo kam ndjekur histori frymëzuese ndaj dhe kjo bisedë e sotmja do doja të ishte  e tillë. Historitë frymëzuese më kanë mësuar që njerëzit e fortë nuk heqin dorë kurrë.

CMG: Për çfarë ju ka vlejtur puna në distancë?

Ajdi Qosja: Eksperienca personale si pjesë e ekipit të punës në distancë më ka aftësuar në procesin e kërkimit. Ky është hapi i parë i një punësimi të sigurtë. Profesioni juaj nuk është gjithmonë i njëjtë me studimet që keni kryer, por pasioni juaj. Një mënyrë mjaft efikase promovimi për aftësitë tuaja në këtë rast është shfaqja e tyre në mediat sociale, ku mund të krijoni “oazin” tuaj. Profesioni im është pasioni im dhe gjithçka nisi rreth një dekadë më parë kur nisa kërkimin në internet për pasionin tim “të të shkruarit”.

CMG: Si nis procesi i kërkimit të një pune?

Ajdi Qosja: Procesi nis me një kërkim në internet me anë të fjalëve kyçe, të cilat duhet të jenë fjalë që përshkruajnë profesionin tuaj ose fjalë të përdorshme gjatë kohës që punoni. Krijimi i një liste me fjalë kyçe për kërkimin sjell një rreze më të madhe rezultatesh. Shfaqja e rezultateve në motorët e kërkimit tregon sipas një renditje pozicionet vakante të punës nga më të kërkuarat deri tek ngarkimet më të reja.
Disa profesione mund të zhvillohen nga individët si profesion i lirë, duke krijuar edhe mundësinë e të punuarit nga shtëpia. Kompani të mëdha botërore rekrutojnë punonjës nga e gjithë bota, duke ofruar për talentet akomodim dhe kontratë pune ose punësim me kohë të plotë në distancë. Kusht kryesor për të aplikuar në pozicione të tilla pune është përputhja e aftësive tuaja me kërkesat e përshkruara në njoftimin e punës dhe njohja në nivel të avancuar e gjuhës angleze.

CMG: Një tjetër fazë shumë e rëndësishme është edhe faza e aplikimit. Më pas, çfarë duhet të kenë parasysh lexuesit?

Ajdi Qosja: Aplikimi nis me  të dhënat personale, krijimin paraprak të një Curriculum Vitae (CV) dhe një letër motivimi për atë pozicion pune. Pasi keni plotësuar fushat e detyrueshme të aplikimit dhe keni verifikuar saktësinë e plotësimit të tyre mund të dërgoni aplikimin. Fazat që pasojnë një aplikim nuk janë gjithmonë të njëjta. Një aplikim i suksesshëm pasohet nga një ftesë për intervistë.
Intervista kërkon të jeni të qetë dhe të bëni maksimumin tuaj. Filloni kërkimin përsëri por këtë herë për intervistën.

CMG: Ajdi më pas mënyra se si duhet të vishemi në intervistën e punës është shumë e rëndësishme, apo jo?

 Ajdi Qosja:  Mënyra si visheni dhe qëndroni tregon shumë për ju si aplikant. Në internet ose në libra sjelljeje do të gjeni mënyrat dhe metodat më të mira të qëndrimit të trupit, intonacionit të zërit, kodit të veshjes, etj. Në intervistat e mia të punës mbaj një qëndrim korrekt, por miqësor. Veshja ime është gjithmonë neutrale edhe pse shumica e intervistave që kam zhvilluar kanë qenë virtuale. Intervista është një “test” dhe kërkon të keni me vete të paktën një dosje, ku pasqyrohet CV juaj dhe portofoli i punëve të mëparshme. Avantazh në këtë proces përbëjnë referencat, të cilat tregojnë shumë mbi kulturën tuaj të punës.

Qëndrimi, veshja dhe fokusi marrin më shpesh vëmendjen e intervistuesit se dokumentat tuaja. Përgatituni për pyetjet e mundshme të intervistës për të qenë të informuar dhe për të shmangur “surprizat”. Përgjigjet e mia në intervista janë të përqëndruara dhe të qarta, duke eleminuar detajet e tepërta nëse nuk kërkohen. Në rastet e suksesshme intervista përfundon me punësimin tuaj. Ju uroj suksese në punën tuaj të re!

CMG: Cila do të ishte një këshillë e juaja e cila do t’iu vlente të rinjve për të gjetur motivin e humbur?

Ajdi Qosja:  Unë dua të them diçka që në pamje të parë mund të duket si një klishe, por që në fakt është e vërtetë . Mos hiqni dorë nga ëndrrat, nëse ti e ke pasion punën që ti bën, kjo nuk tregon që po punon, por po rritesh gradualisht.
Intervistoi:Megi Latifi