BE masa të reja për të trajtuar krizën energjetike
2022-09-09 12:15:12

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Komisioni Evropian synon masa të reja për të zbutur çmimet e larta aktuale të energjisë elektrike, deklaroi presidentja e KE-së Ursula von der Leyen.

“Ne jemi përballur me çmime astronomike të energjisë elektrike për familjet dhe kompanitë dhe me paqëndrueshmëri të madhe të tregut. Komisioni propozon të kursehet energjia elektrike në një mënyrë të zgjuar, duke shmangur kërkesat e pikut”, -tha von der Leyen, citon “Xinhua”.

Të ardhurat e kompanive që prodhojnë energji elektrike me kosto të ulët do të kufizohen, tha ajo, duke shpjeguar se energjia elektrike me kosto të ulët mund të prodhohet nga burime të energjisë me karbon të ulët, siç janë burimet e rinovueshme, por pavarësisht se është e lirë për t'u prodhuar, kjo lloj energjie elektrike shitet me një çmim të lartë, duke gjeneruar të ardhura të mëdha.

“Ne do të propozojmë që këto fitime të papritura të rikanalizohen te shtetet anëtare të BE-së në mënyrë që ato të mbështesin familjet dhe kompanitë e cenueshme”,- tha von der Leyen.

Për më tepër, Komisioni do të ndihmojë për të lehtësuar mbështetjen e likuiditetit nga shtetet anëtare për kompanitë energjetike, të cilave aktualisht u kërkohet të ofrojnë shuma të mëdha fondesh të papritura.

Së fundi, Komisioni propozon një kufi çmimi për gazin rus, pasi, siç theksoi von der Leyen, duhen shkurtuar prurjet nga Rusia.

E varur shumë nga karburantet fosile ruse, BE-ja ka punuar për t’u shkëputur nga energjia ruse që nga fillimi i konfliktit Rusi-Ukrainë në shkurt. Shtetet anëtare kanë kërkuar të gjejnë furnizues alternativë të energjisë dhe po tentojnë një tranzicion të gjelbër.

Vitin e kaluar, gati 40 për qind e gazit natyror të përdorur në BE për ngrohjen e shtëpive dhe bizneseve të energjisë erdhi nga Rusia. Sot kjo shifër është 9 për qind. (Irma)