Astronautët kinezë flasin nga hapësira me të rinjtë afrikanë
2022-09-09 15:56:48

Tre astronautë kinezë, ose taikonautë, të martën, përmes lidhjes video, biseduan nga hapësira me të rinjtë nnga tetë vendet afrikane, duke ndarë përvojën e tyre në misionin “Shenzhou-14”/ Xinhua

"Fol me taikonautët" titullohej aktiviteti i mbajtur të martën, kur tre astronautë kinezë biseduan nga hapësira me të rinjtë nga tetë vende afrikane. Astronautët iu përgjigjën interesit të të rinjve mbi kërkimet e tyre gjatë misionit gjashtëmujor, si dhe mbi sfidat me të cilat përballen. Duke e cilësuar bisedën mbresëlënëse, vetë të rinjtë thanë për “Xinhua” se duhet të bëjnë më të mirën dhe të punojmë shumë për të arritur qëllimet e tyre. 

Taikonautët - Chen Dong, Liu Yang dhe Cai Xuzhe,  të cilët janë në një qëndrim gjashtëmujor në orbitë, ndanë me të rinjtë afrikanë jetën e tyre dhe punën shkencore në stacionin hapësinor. 

Aktiviteti, i titulluar "Fol me taikonautët", u mbajt në selinë e Bashkimit Afrikan në Addis Ababa, ndërsa studentë nga Algjeria, Egjipti, Etiopia, Namibia, Nigeria, Senegali, Somalia dhe Afrika e Jugut iu bashkuan nga seli në vende të tjera.

Një studente u paraqiti një pyetje taikonuatëve të anijes kozmike "Shenzhou-14" përmes videolidhjes gjatë aktivitetit "Fol me taikonautët" të zhvilluar në Uindhoek, Namibi, më 6 shtator 2022/ Xinhua

Emily Nangacovie, një studente e shkencës nga Namibia, pati një mundësi për të bërë pyetje se çfarë kërkimesh kanë kryer në misionin e tyre.

Në përgjigje, Cai tha se ata janë përqendruar në studimin e ndikimit të ekspozimit afatgjatë ndaj gravitetit zero në shëndetin e astronautëve dhe masat përkatëse të mbrojtjes, duke parë sjelljen dhe aftësitë e astronautëve dhe duke u thelluar në zbatimin e mjekësisë tradicionale në hapësirë. 

"Ne bëjmë gjithashtu eksperimente mbi shkencën e gravitetit të ndryshueshëm, shkencën e jetës dhe ekologjisë, shkencën e bioteknologjisë, fizikën e lëngjeve dhe shkencën e djegies",- shtoi Cai. 

"Këto projekte kërkimore eksperimentale do të ofrojnë mbështetje për astronautët për të jetuar një jetë të shëndetshme dhe për të punuar me një efikasitet të lartë në stacionin hapësinor dhe do të vendosin bazat për eksplorimin e ardhshëm në hapësirën e thellë",- shpjegoi ai. 

Chen, një tjetër taikonaut, tha se ata do të kryejnë aktivitete në hapësirë, shërbime të  mirëmbajtjes së pajisjeve,  eksperimente të aplikimit në hapësirë, eksperimente mjekësore në hapësirë dhe leksione në stacion. 

Yang Jun, i ngarkuari me punë i Ambasadës Kineze në Namibi, tha se Kina do të ndihmojë në trajnimin e teknikëve namibianë për teknologjinë hapësinore dhe do të kryejë kërkime hapësinore së bashku me Namibinë. 

Vitin e kaluar, tre taikonautë kinezë në një anije kozmike “Shenzhou-12” mbajtën një flamur kombëtar namibian në hapësirë, ndërsa dy taikonautë, Cheng dhe Liu, vizituan Namibinë në vitin 2019. 

"Ne mund të shohim se sa i frytshëm është bashkëpunimi hapësinor Kinë-Namibi",- tha Yang, duke shtuar se detyra e zhvillimit të teknologjisë hapësinore qëndron mbi supet e të rinjve në botë. 

Passant Sayed Khalil, një e re egjiptiane që jep mësim gjuhën kineze në Universitetin e Kajros, e pyeti Liun se sa sfiduese ishte për të të bëhej astronautja e parë e Kinës dhe si e realizoi ëndrrën e saj.

Studentet dolën fotografi me figurat e tre taikonuatëve të anijes kozmike "Shenzhou-14" në terrenin e akvitetetit "Fol me taikonautët" të zhvilluar në Kajro të Egjiptit, më 6 shtator 2022/ Xinhua

"Në fakt, në çdo fushë të jetës, ka gra të shquara të përkushtuara për pozicionet e tyre. Për sa kohë që ne i ruajmë ëndrrat tona, do të kemi fuqi. Për sa kohë që synojmë lart dhe punojmë shumë, ne mund të çlirojmë potencialin e inteligjencës sonë dhe të realizojmë ëndrrat tona”, - u përgjigj Liu, duke falënderuar familjen e saj për mbështetjen në realizimin e ëndrrës së saj.

Khalil, e cila e ka vizituar Kinën tri herë, tha se është frymëzuar nga Liu, që i sjell shpresën se gratë mund të arrijnë shumë gjëra në të njëjtën kohë.

Biseda është me të vërtetë shumë mbresëlënëse",- tha Khalil për “Xinhua”. “Nëse kemi një qëllim në jetën tonë, duhet të bëjmë më të mirën dhe të punojmë shumë derisa ta arrijmë atë”.

Aktiviteti në Kajro tregoi video prezantuese mbi zhvillimin e Kinës në hapësirë dhe përpjekjet e bëra nga Agjencia Kineze e Hapësirës për  arritjet aktuale.

Sherif Mohamed Sedky, CEO i Agjencisë Hapësinore Egjiptiane, përshëndeti përparimin e Kinës në fushën e hapësirës dhe theksoi kontributin e saj në përparimin e Egjiptit në këtë fushë.

"Ne punojmë së bashku në projektimin e satelitëve dhe përgatisim së bashku laboratorë të posaçëm për testimin dhe montimin e satelitëve. Pra, ekziston një bashkëpunim i madh midis Egjiptit dhe Kinës në fushën hapësinore",- tha Sedky për “Xinhua”.

“Egjipti përfiton shumë nga ky bashkëpunim, përmes shkëmbimit të ekspertizës dhe laboratorëve të mëdhenj që po krijohen aktualisht në dritën e bashkëpunimit egjiptiano-kinez”, - shtoi ai, duke theksuar se një ngjarje e tillë është një përvojë frymëzuese për të rinjtë egjiptianë. 

Terreni i aktivitetit "Fol me taikonautët" i zhvilluar në Mogadishu të Somalisë më 6 shtator 2022/ Xinhua

Zhang Tao, i ngarkuari me punë i Ambasadës së Kinës në Egjipt, tha se ngjarja nuk është vetëm një aktivitet shkëmbimi kulturor, por edhe një shkëmbim dhe eksperiment shkencor dhe teknologjik midis Kinës dhe Afrikës. 

"Eksplorimi i hapësirës është një ëndërr e zakonshme e njerëzimit. Egjipti është një vend i rëndësishëm afrikan dhe të rinjtë e tij presin më shumë mundësi për të eksploruar misteret e hapësirës. Mendoj se kjo ngjarje do t'i ndihmojë të rinjtë egjiptianë të kuptojnë më tej zhvillimin e teknologjisë së hapësirës ajrore të Kinës”,- tha Zhang për “Xinhua”. 

“Kina është e gatshme të vazhdojë të punojë me Egjiptin për të promovuar bashkëpunimin hapësinor Kinë-Afrikë dhe për të dhënë kontribute të reja pozitive për thellimin e bashkëpunimit strategjik Kinë-Egjipt”, - tha Zhang.