Kina zbulon mineral të ri hënor
2022-09-09 21:18:32

Kina zbulon një mineral të ri të quajtur Changesite-(Y). /Grupi Mediatik i Kinës

Kina zbulon një mineral të ri të quajtur Changesite-(Y). /Grupi Mediatik i Kinës

Kina ka publikuar zbulimet kërkimore mbi mostrat hënore të marra prej sondës “Chang'e-5” në dhjetorin e vitit 2020, duke përfshirë një mineral të ri me emrin "Changesite-(Y)", i cili u zbulua nga shkencëtarët kinezë dhe u miratua nga Shoqata Mineralogjike Ndërkombëtare.

"Changesite-(Y)" u izolua nga grupi i studimit prej më shumë se 140 mijë grimcash hënore, si një grimcë e vetme kristalore me një diametër afro 10 mikronë, më pak se një e dhjeta e diametrit mesatar të flokut të njeriut.

Studiuesit analizuan me sukses strukturën kristalore të saj dhe konfirmuan se kemi të bëjmë me një mineral të ri. Ai është një lloj i ri minerali fosfat me trajtë si kristal në formë kolonash, i zbuluar në kokrrat e bazaltit hënor.

Zbulimi i "Changesite-(Y)" e bën Kinën vendin e tretë që ka zbuluar një mineral të ri hënor.

Në konferencën e shtypit u deklaruan edhe dy arritje të tjera të rëndësishme studimore.

Kina ka përcaktuar për herë të parë përqendrimin e helium-3, një burim i ardhshëm i energjisë me bashkim, nga mostrat e dheut hënor të marra nga “Chang'e-5” dhe parametrat e nxjerrjes të tij.

Mostra hënore nën mikroskop. /Instituti Kërkimor i Gjeologjisë së Uraniumit në Pekin

Mostra hënore nën mikroskop. /Instituti Kërkimor i Gjeologjisë së Uraniumit në Pekin

Përveç kësaj, karakteristikat morfologjike të grimcave të dheut hënor janë identifikuar përmes studimeve të gjera, duke ofruar bazën shkencore për të studiuar se si është formuar dheu hënor.

Lajmi u publikua së bashku nga Administrata Kombëtare Hapësinore e Kinës dhe Autoriteti i Energjisë Atomike i Kinës të premten, një ditë përpara Festës së Mesvjeshtës të Kinës, ose Ditës së Hënës.

Festa e Mesvjeshtës kremtohet më 15 gusht sipas kalendarit hënor, kur Hëna është zakonisht më e plotë dhe më e shndritshme. Hëna është element i rëndësishëm në mitologjinë kineze. Emrat e Perëndeshës së Hënës Chang'e dhe lepurit të saj Yutu janë përdorur për misionet hënore të Kinës. (Xu Guang)