Bejtja: Qeveria subvencionon 107 euro për çdo familje
2022-09-09 12:08:26

Zëvendësministri i Energjetikës, Ilir Bejtja, mohoi zërat se qeveria shqiptare nuk subvencionon çmimin e energjisë elektrike. I ftuar në studion e “Radio Tirana”, zv.ministri Bejtja tha se masa e mbështetjes buxhetore e bën Shqipërinë vendin e dytë pas Ukraninës në pagimin me paratë e buxhetit të diferencës së çmimit të tregut me atë të paguar për konsumin familjar.

Sipas tij, janë më shumë se 2.5 milionë euro që paguhen, ose 107 euro për cdo familje që furnizohet në tensionin e ulët, përcjell “RTSH”.

Bejtja tha se kjo shifër tregon se rreth 48 për qind e konsumatorëve janë të mbështetur nga taksat për të përballuar rritjen e çmimit të energjisë elektrike, sipas raportit të Sekretariatit të Energjisë në Vjenë.

Po ashtu, Bejtja tha se biznesi që furnizohet në tensionin e mesëm incentivohet nga qeveria. Kompanitë sot paguajnë 18.9 lekë për çdo kilovat energji të harxhuar, ndërsa çmimi i blerjes në tregun ndërkombëtar është jo më pak se 40 lekë për çdo kilovat.

Zëvendësministri Bejtja bëri thirrje që bizneset e kësaj fashe duhet të marrin masa për të blerë në tregun e lirë të energjisë, duke filluar nga fundi i muajit nëntor, kur bëhet efektive edhe Bursa e Energjisë në Shqipëri. (Irma)