Kryeministrja e re e Britanisë i jep prioritet ekonomisë, energjisë, shërbimit shëndetësor
2022-09-08 11:06:44

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Kryeministrja e re e Britanisë së Madhe, Liz Truss, bëri të ditura përparësitë në qeverisjen e saj, mes të cilave janë dhe ekonomia, kriza energjetike dhe shërbimi shëndetësor.

Në fjalimin e saj të parë drejtuar kombit si kryeministre, Truss shprehu besim për rindërtimin e ekonomisë, citon “Xinhua”.

Britania po përballet me një krizë të përkeqësuar të kostos së jetesës, pasi çmimet e ushqimit dhe energjisë vazhdojnë të rriten. Inflacioni ka vazhduar të rritet që nga dimri i vitit 2021.

Të dhënat zyrtare treguan se indeksi i çmimeve të konsumit u rrit me 10.1 për qind në korrik, shumë mbi objektivin prej 2 për qind të vendosur nga Banka e Anglisë. Pakënaqësia për rritjen e faturave të energjisë bëhet më e fortë me afrimin e dimrit.

Më herët gjatë ditës, Truss u takua me mbretëreshën Elizabeth II dhe pranoi ftesën e saj për të formuar qeverinë.

“Unë do ta bëj Britaninë të punojë përsëri. Kam një plan të guximshëm për të rritur ekonominë përmes shkurtimeve të taksave dhe reformave. Do të ulim taksat për të shpërblyer punën e palodhur dhe për të nxitur rritjen dhe investimet e udhëhequra nga biznesi”,- tha ajo, duke theksuar se ajo do të siguronte që njerëzit të kenë akses në shërbimet shëndetësore që u nevojiten.

Truss ka bërë fushatë për të ulur taksat, por ekspertët dyshojnë nëse do të jenë efektive, duke pasur parasysh ashpërsinë e situatës.

Banka e Anglisë parashikoi muajin e kaluar se Britania do të hyjë në një recesion prej pesë tremujorësh duke filluar në tre muajt e fundit të vitit 2022. (Elona)