Kina mbështet praninë e vazhdueshme të ekspertëve të IAEA në termocentralin bërthamor Zaporizhzhia
2022-09-08 10:33:01

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Kina shprehu mbështetje për praninë e vazhdueshme të ekspertëve të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), mbikëqyrësi bërthamor i OKB-së, në termocentralin bërthamor të Ukrainës, Zaporizhzhia.

Në konferencën e Këshillit të Sigurimit për termocentralin bërthamor Zaporizhzhia, zëvendëspërfaqësuesi i përhershëm i Kinës në Kombet e Bashkuara, Geng Shuang, tha se Kina njeh përpjekjet e drejtorit të përgjithshëm Rafael Grossi dhe ekspertëve të IAEA-së. Megjithatë, Geng shtoi se pavarësisht paralajmërimeve dhe thirrjeve të vazhdueshme nga komuniteti ndërkombëtar, bombardimet ndaj termocentralit vazhdojnë dhe kjo është tejet shqetësuese, citon “Xinhua”.

Ambasadori vuri në dukje se aksidenti bërthamor i Çernobilit nuk është zbehur në kujtesë dhe efektet e aksidentit bërthamor të Fukushimës nuk janë zhdukur.

“Bota nuk mund të përballojë një fatkeqësi tjetër bërthamore”,- tha ai.

“Ne u bëjmë thirrje edhe një herë palëve të interesuara që të qëndrojnë të përkushtuara ndaj humanizmit, racionalitetit shkencor, komunikimit dhe bashkëpunimit, të respektojnë rreptësisht konventën për sigurinë bërthamore dhe ligjet e tjera përkatëse ndërkombëtare, të ruajnë shtatë shtyllat e propozuara nga drejtori Grossi dhe të shmangin të gjitha veprimet që rrezikojnë sigurinë”,- tha Geng.

Ai theksoi se Kina shpreson që ekspertët rezidentë të mund të ofrojnë mbështetje teknike të vazhdueshme, të qëndrueshme dhe profesionale për të garantuar sigurinë e objekteve bërthamore. (Elona)