Çmimet e naftës rriten nga shqetësimet për ofertën e paktë
2022-09-08 19:51:11

nga CFP

nga CFP

Çmimet e naftës u rritën deri në 1 dollar për fuçi të enjten, pas rënies nën nivelet kryesore të mbështetjes teknike në sesionin e mëparshëm, ndërsa përplasja energjetike midis Evropës dhe Rusisë e përqendroi vëmendjen e investitorëve te përmasa që mund të arrijë mungesë e furnizimit me lëndë djegëse.

Çmimet u rritën nga kërcënimi i presidentit rus Vladimir Putin për të ndalur eksportet e naftës dhe gazit të Rusisë nëse vendosen kufij çmimi nga blerësit evropianë.

Bashkimi Evropian propozoi kufizimin e çmimeve të gazit rus vetëm disa orë më vonë, duke rritur rrezikun e racionimit në disa nga vendet më të pasura të botës këtë dimër, nëse Moska e vë në jetë kërcënimin e saj. Gjigandi energjetik shtetëror i Rusisë, "Gazprom", ka ndalur tashmë dërgimin e gazit nga "Nord Stream 1", duke ulur në një përqindje të ndjeshme furnizimin për Evropën.

Prirja e çmimit të naftës është duke u formësuar nga "forca të ndryshme të jashtme, si beteja energjetike ndërmjet vendeve perëndimore dhe Rusisë", thanë në një shënim analistët nga "Haitong Futures".

Ndikimi i mundshëm i çdo marrëveshjeje ose rinisja e zbatimit të marrëveshjes së mëparshme ndërmjet Perëndimit dhe Iranit mbi programin bërthamor të Teheranit do të ishte gjithashtu i rëndësishëm, vunë në dukje ata. Një marrëveshje do të sillte heqjen e sanksioneve ndaj eksporteve të naftës iraniane.

Duke reaguar ndaj rritjes së çmimeve të energjisë, kryeministrja e re britanike Liz Truss do të kërkojë të përdorë më shumë rezervat e Britanisë në Detin e Veriut, raportoi më parë gazeta "The Telegraph".

Qeveria britanike pritet të shpallë dhjetëra leje të reja për kërkimin e naftës dhe gazit në Detin e Veriut për të rritur prodhimin vendas, thanë për "Reuters"-in dy burime në dijeni lidhur me diskutimet e qeverisë.

Ndërkohë, një numër bankash qendrore në mbarë botën pritet të fillojnë një raund të ri të rritjes së normave të interesit për të luftuar inflacionin.

Banka Qendrore Evropiane parashikohet që do të rrisë ndjeshëm normat e interesit gjatë mbledhjes së saj të enjten, duke u pasuar nga një mbledhje e Rezervës Federale të ShBA-së më 21 shtator.