Tërmeti në Kinë: Punonjësit e shpëtimit ndihmojnë banorët para ardhjes së shiut
2022-09-07 20:03:28

Punonjësit e shpëtimit po bëjnë të gjitha përpjekjet për të ndihmuar banorët pas një tërmeti me magnitudë 6.8 ballë, që goditi kontenë Luding në provincën Sichuan të Kinës Jugperëndimore.

Por në këtë rajon parashikohet të bjerë shi të mërkurën, duke e bërë punën e shpëtimit më të vështirë.

Të paktën 74 veta kanë humbur jetën nga kjo fatkeqësi, 26 mungojnë dhe 259 janë plagosur deri tani.

Zjarrfikësit ndihmojnë një burrë të kalojë një urë të përkohshme në Luding County, Provinca Sichuan e Kinës jugperëndimore, 6 shtator 2022

Zjarrfikësit ndihmojnë një burrë të kalojë një urë të përkohshme në Luding County, Provinca Sichuan e Kinës jugperëndimore, 6 shtator 2022./CFP

Një grup pune i dërguar nga Këshilli i Shtetit arriti të martën në mëngjes herët për të drejtuar përpjekjet e ndihmës.

Mbi 300 stacione bazë e 134 kilometra fibra optike janë dëmtuar, dhe më shumë se 16 000 veta kanë humbur sinjalet e komunikimit.

Deri në mbrëmjen e së martës, 77 stacione bazë ishin rregulluar dhe energjia elektrike ishte rikthyer për afro 22 000 familje.

Zjarrfikësit në vendin e fatkeqësisë në qarkun Luding, provinca Sichuan e Kinës jugperëndimore, 6 shtator 2022. /CFP

Zjarrfikësit në vendin e fatkeqësisë në kontenë Luding, provinca Sichuan e Kinës jugperëndimore, 6 shtator 2022. /CFP

Të paktën 92 veta të mbetur nën rrënoja janë transportuar në zona të sigurta nga zjarrfikësit. Ata kontrolluan pothuajse 3 000 shtëpi dhe po vazhdojnë të punojnë për të gjetur më shumë të mbijetuar.

Përveç zjarrfikësve, edhe ushtarë të forcave tokësore të Ushtrisë Çlirimtare Popullore morën pjesë në punët e shpëtimit.

Një prej tyre, Wei Xiaohu, tregoi për Grupin Mediatik të Kinës (CMG): "Shumë banorë qanë kur na panë që po vinim. Të gjitha rrugët për në epiqendër ishin bllokuar, kështu që duhej të përdornim varkat dhe më pas të ngjiteshim me litar për tre orë për t'iu afruar atyre. Më pas përdorëm litarët - si edhe shpinat tona - për të transportuar njerëzit e bllokuar një nga një në varka."

Terreni malor e bën të pamundur fluturimin me helikopterë, kështu që punonjësit e shpëtimit u detyruan të transportonin me dorë materialet e ndihmës në zonë.

Mbi 6 650 veta, duke përfshirë ushtarë, inxhinierë dhe punonjës të ndihmës së parë u përfshinë në punët e shpëtimit.

Një nënë ushqen fëmijën e saj në një qendër qëndrimi të përkohshëm në kontenë Luding, Provinca Sichuan e Kinës jugperëndimore, 6 shtator 2022. /CFP

Një nënë ushqen fëmijën e saj në një qendër qëndrimi të përkohshëm në kontenë Luding, Provinca Sichuan e Kinës jugperëndimore, 6 shtator 2022. /CFP

Edhe dronat luajtën një rol të rëndësishëm, duke siguruar sinjalet e celularit për njerëzit në epiqendër, pasi tërmeti dëmtoi shtyllat e sinjalit.

Dronat bënë edhe video nga vendi i ngjarjes, për t'i ndihmuar punonjësit e shpëtimit që të planifikojnë punën e tyre.

Të plagosurit u transportuan në një qendër të përkohshme për trajtim bazë.

65 të plagosur po mjekoheshin në Spitalin Popullor të Prefekturës Autonome Tibetiane Ganzi të martën. Mësohet se ata janë në gjendje të qëndrueshme. Ndërsa tetë të tjerë me plagë të rënda u çuan në spitalet më të mëdha në qytetin Chengdu, kryeqendrën e provincës Sichuan. (Xu Guang)