Paketë mbështetëse për bizneset, familjet dhe fermerët
2022-09-07 15:20:39

Nisur nga kriza e çmimeve, qeveria ka hartuar një paketë të dytë ndihme për shtresat më në nevojë. Lajmi është bërë i ditur më herët nga Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj. Mësohet se  paraprakisht paketa qe do të vihet në zbatim muajin e ardhshëm, parashikon ndihma për qytetarët dhe bizneset.

Paketa e qeverise (Foto inc.magazine)

Paketa e qeverise (Foto inc.magazine)

“Ne do të vijojmë të kemi një politikë mbështetëse ndaj shtresave në nevojë, që do të ndikojë si në ecurinë e konsumit ashtu dhe në ecurinë e mirëqënies së ekonomisë shqiptare. Në fund të muajit korrik ne kemi bërë një akt normativ për rishikimin e buxhetit, që parashikon të gjitha ndërhyrjet që qeveria shqiptare do të ndërmarrë me qëllim stimulimin e ekonomisë dhe frenimin e efekteve negative që vijnë në ekonomi nga konjukturat ndërkombëtare. Këtë paketë të plotë masash do ta bëjmë publike. Paraprakisht mund t’iu them se ajo përfshin ato masa që janë marrë deri tani dhe reflektimin e vijimësisë që janë marrë, qoftë për mbështetjen e bizneseve, qoftë për mbështetjen e konsumit”, tha Delina Ibrahimaj.

Ministrja theksoi se qeveria do të vijojë të ndjekë një politikë mbështetëse ndaj shtresave në nevojë. Më tej ajo u shpreh se paketa e dytë do bëhet publike në shtator dhe do të përfshijë masat e marra deri tani, qoftë për mbështetjen e bizneseve ashtu edhe të familjeve.

Nga paketa e parë përfituan në total 442 253 persona, të cilët morën 3 mijë lekë për 3 muaj për rritjen e çmimeve. Paketa e parë që është aktualisht në fuqi parashikonte indeksimin e pensioneve me 3.3 miliardë lekë, kompensim me 3 mijë lekë për 576 mijë pensionistë e familje në nevojë, mbështetje 1.5 miliardë lekë për fermerët, 500 milionë lekë që mos të rritej çmimi i transportit publik, fond 28 miliardë lekë për energjinë elektrike dhe ndryshim të taksës progresive e rritjes së pagës minimale.

Në këtë periudhë qeveria po aplikon edhe mbështetjen për prodhuesit e grurit.  Ministrja e Bujqësisë Frida Krifca ka lancuar edhe thirrjen për aplikime.

Ministrja Frida Krifca (Foto Facebook)

Ministrja Frida Krifca (Foto Facebook)

“Është e pazakontë të kryhen dy thirrje për aplikime nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural brenda një viti buxhetor. Por qeveria vendosi ne mars e në korrik të shtojë buxhetin fillestar në mbështetje të fermerëve me 1,7 miliardë lekë.  Por ky ka qenë një vit i pazakontë, me sfida të mëdha globale që edhe tek ne janë përkthyer në vështirësi të ndryshme në zinxhirin prodhues e përpunues. Nga çmimet e paparashikueshme, vështirësi logjistike, transporti, etj. Fakti është që falë dedikimit tuaj, bashkëpunëtorëve tuaj dhe mbështetjes, kemi pasur një ecuri pozitive në prodhim dhe eksporte ku deri në fund të korrikut llogariten mbi 20% më shumë eksporte në vlerë e në sasi krahasuar me një vit më pare”, u shpreh Krifca.

Ministrja tha se janë  mbështetur më shumë se 35,000 fermerë deri tani, ndërsa deri në fund të vitit llogariten rreth 50,000 fermerë që përmes naftës, grurit, apo masave të tjera të drejtpërdrejta do të preken nga skema.

ristrukturimi-i-kredisë (Foto iconstyle)

ristrukturimi-i-kredisë (Foto iconstyle)

Sipas Krifcës skema është ndihmë për fermerët.

“Edhe pse jemi të vetëdijshëm që skema nuk do t’i kënaqë dot të gjithë, e vërteta është se ky vit ka ofruar shifrën me herë më të lartë, në numër përfituesish apo fondesh dhënë ndonjëherë, në një periudhë prej tetë muajsh, brenda një viti buxhetor. E gjithë kjo punë është kryer nga e njëjta administrate, e cila ka bërë një punë të madhe për të orientuar, mbështetur dhe mundësuar shërbim. Por ju këtë e dini, sepse jetoni në komunitete dhe e kuptoni diferencën mjaft mirë. Dini gjithashtu të dalloni gënjeshtrat dhe politikën e zhurmës që tentohet të bëhet në emrin tuaj. Por le t’i kthehemi grurit, ndërsa kemi patur një vit të mbarë në prodhim e në çmime, kemi punuar fort të afrojmë tregtarët drejt prodhimit vendas, kemi ndërmarre masa për ta shtuar sipërfaqen e mbjellë me këtë kulturë për shkak të pasigurisë së tregjeve ndërkombëtare ku historikisht jemi furnizuar për rreth gjysmën e nevojave të vendit. ” tha Krifca.

Kultivuesit e grurit me siperfaqe mbi 1 ha, që janë edhe prodhuesit kryesorë për shitje në treg, do të përfitojnë një mbështetje prej 30,000 mijë lekë për ha. Me këtë mbështetje për sipërfaqe, garantojmë pagesën brenda këtij viti për secilin fermer dhe pagesa brenda vitit, ka qenë qëllim kryesor. Sipërfaqja prej 1 ha nuk kërkohet të jetë në një parcelë të vetme, as në parcela që formojnë një bllok.

Aplikimi për masën mbështetëse të grurit nga data 1 deri 23 shtator kryhet on-line nëpërmjet portalit e-Albania. Secili fermer mund të realizojë këtë aplikim në mënyrë individuale nga cdo kompjuter me lidhje interneti. Megjithatë për të siguruar asistencën e nevojshme, Ministria ka angazhuar 55 zyra gjithësej me rreth 113 specialistë bujqësie.

Për tokat në pronësi dokumentet që duhen janë: Certifikatë pronësie;Akti i Marrjes së Tokës në Pronësi (AMTP),nuk kërkohet kontratë noteriale, Kërkohet një dokument i nënshkruar mes palëve (pra midis qaramarrësit dhe  qiradhënësit). Për të shmangur kostot nuk kërkohet noterizim, por thjesht një konfirmim nga Njësia Administrative përkatëse dhe kjo bëhet falas sqaron Bujqësia. Nënshkrimi i palëve është i domosdoshëm, për të shmangur raste abuzimi. Pra, ky dokumentim eleminon përfitimet e padrejta dhe garanton integritetin e procesit.-sqarohet më tej.Duhet të paraqiten fatura fiskale për blerjen e farave ose produkteve plehëruese. Fatura për farën është vendosur si kriter për t’u garantuar që fara e mbjellë nga fermeri është e certifikuar dhe në këtë mënyrë ka cilësitë dhe kapacitetin e duhur prodhues dhe ofron gjurmueshmëri për strukturat tona. Faturat do të kërkohen gjatë kontrollit fizik të sipërfaqes në parcelë për çdo aplikant përfitues.

Gruri (Foto Frida Krifca fb)

Gruri (Foto Frida Krifca fb)

Një kosto shtesë për qytetarët pas konfliktit në Ukrainë është edhe shtrenjtimi i naftës për të cilën është ngritur Bordi i Transparencës.Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj ka reaguar për kritikat se Bordi i Transparencës vendos çmime të larta për naftën,  ndërsa në bursë janë më të ulëta. Për këtë thotë se nuk ka pasur asnjëherë çmime të ndryshme nga bursa.

 “Eshtë e kundërta. Ju ftoj të analizoni ecurinë e çmimeve të bursës për produktet që janë nën ombrellën e bordit dhe jo të bordit për naftën bruto që ka një lëvizje të ndryshme nga nafta e rafinuar. Bordi për çminet e naftës së rafinuar, benzinës e gazit e në asnjë rast bordi nuk është mbledhur në kundërshtim me rritjen apo uljen e këtyre çmimeve. Me pasqyrimin e një ulje të çmimeve në bursat ndërkombëtare për produktin që tregtohet në vend bordi mblidhet menjëherë, ndërkohë që mundohet ta shtyjë mbledhjen kur kemi raste të rritjes së çmimeve në bursë. Vendimet janë transparente dhe mos e dezinformoni opinionin publik“, tha ministrja.

Një problem është edhe pjesa e informalitetit të pagave ku kjo nuk është jashtë fokusit të tatimeve për t’i vënë në sitë subjektet që abuzojnë.

“Anoncuam që Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve do të vijojë me fokus në rritjen e pagave dhe uljen e informalitetit. Kemi dërguar letra në bizneset e përfshira në plan dhe po analizojmë reagimet, të cilat duhet të ishin deri në datën 20 të këtij muaji. Në dhjetë ditëshin e ardhshëm do analizojmë dhe do të nisim në vizitat fiskale. Qasja është e njëjta si pak muaj më parë ku ka pasur një përfshirje të gjerë mbi këtë çështje, tani do të përqendrohemi në tre sektorë dhe do të vijojë edhe në periudhat në vijim, deri kur pagat të shkojnë në realitetin e tyre pasi është një e keqe e madhe publike që i bëhet individëve deklarimi i ulët që ndikon më tej edhe mbi i pensionet.”

Pagat, sipas Ibrahimajt,  kanë filluar të rriten dhe duke mbështetur kështu indirekt buxhetet e familjeve shqiptare me qëllim përballimin e të gjithë krizës së çmimeve