Pekini dënon fuqishëm sulmet kibernetike të ShBA-së ndaj universitetit kinez
2022-09-07 19:15:14

Kina dënon fuqishëm sulmet kibernetike të kryera nga Shtetet e Bashkuara mbi Universitetin Politeknik Veriperëndimor të Kinës dhe i kërkon palës amerikane të japë shpjegim e të ndalojë menjëherë lëvizjet e saj të paligjshme, tha të hënën zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme Mao Ning.

Qendra Kombëtare e Reagimit Emergjent ndaj Viruseve Kompjuterike e Kinës (CVERC) dhe kompania e sigurisë në internet "Qihoo 360 Technology" publikuan raporte hetimore mbi sulmet në Universitetin Politeknik Veriperëndimor nga Agjencia e Sigurisë Kombëtare e ShBA-së (NSA), të cilat tregojnë se Njësia e Veprimeve Sulmuese (TAO), e lidhur me NSA-në, ka kryer qindra mijë sulme kibernetike mbi objektivat kinezë.

Lidhur me këtë, Mao u shpreh në një konferencë të përditshme shtypi se raportet hetimore tregojnë një shembull tjetër të sulmeve kibernetike të qeverisë amerikane ndaj Kinës.

Ajo theksoi se, bazuar në analizën dhe gjurmimin e bërë nga ekipi i përbashkët i CVERC-it dhe "360", sulmet kibernetike dhe vjedhjet e të dhënave të kryera nga NSA kundër Kinës mbështeten nga një zinxhir i qartë dhe i plotë provash, i cili përfshin 13 veta në Shtetet e Bashkuara që kanë zhvilluar sulme të drejtpërdrejta kibernetike kundër Kinës dhe më shumë se 60 kontrata e mbi 170 dokumente digjitale me operatorët e telekomit të ShBA-së për të krijuar një mjedis për sulmet kibernetike.

Raportet tregojnë se Shtetet e Bashkuara përdorën 41 armë të specializuara kibernetike për të kryer mbi 1000 operacione të vjedhjes kibernetike kundër Universitetit Politeknik Veriperëndimor dhe vodhën të dhënat teknike bazë.

Shtetet e Bashkuara gjithashtu kanë kryer prej kohësh audiopërgjimin pa dallim të  përdoruesve kinezë të celularëve, kanë vjedhur mesazhet e shkruara në telefon dhe kanë bërë lokalizimin jokabllor të tyre, vuri në dukje zëdhënësja e diplomacisë kineze, duke shtuar se sjellja e ShBA përbën një rrezik serioz për sigurinë kombëtare të Kinës dhe sigurinë e informacionit vetjak të qytetarëve.

“Kina e dënon fuqishëm këtë dhe i kërkon palës amerikane të japë shpjegim dhe të ndalojë menjëherë lëvizjet e saj të paligjshme," u shpreh Mao Ning.

Si një viktimë kryesore e piraterisë në internet, Kina është kundër të gjitha formave të sulmeve kibernetike, tha zëdhënësja, duke shtuar se ligjet kineze i ndalojnë qartë të gjitha ndërhyrjet kibernetike dhe dëmtimin e sistemeve të informacionit.

Duke vënë në dukje se kërcënimet e sigurisë kibernetike janë një sfidë e përbashkët me të cilën përballen të gjitha vendet, Mao theksoi se ruajtja e sigurisë kibernetike është përgjegjësi e mbarë bashkësisë ndërkombëtare.

Ajo shtoi se Kina i përmbahet përdorimit paqësor të hapësirës kibernetike dhe është e gatshme të punojë me bashkësinë ndërkombëtare për të shtuar dialogun e bashkëpunimin, për të kundërshtuar hegjemoninë në hapësirën kibernetike, për të trajtuar të gjitha llojet e sulmeve kibernetike, për të ruajtur paqen, sigurinë, hapjen, bashkëpunimin e rendin në hapësirën kibernetike, për të nxitur një sistem shumëpalësh, demokratik e transparent të qeverisjes ndërkombëtare të internetit dhe për të punuar së bashku për një komunitet me të ardhme të përbashkët në hapësirën kibernetike.