Kina: Vlerësimi i OHCHR-së për Xinjiang-un, dezinformim nga Perëndimi me motive politike
2022-09-05 18:00:53

Vlerësimi i Zyrës së Komisionerit të Lartë për të Drejtat e Njeriut (OHCHR) për Xinjiang-un është një dezinformim për motive politike, i nxitur nga ShBA-ja e disa forca perëndimore, dhe është krejtësisht i paligjshëm e i pavlefshëm, u shpreh zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës Zhao Lijian.

nga VCG

Duke folur në një konferencë shtypi të hënën në Pekin, Zhao tha se një pjesë e vogël e vendeve perëndimore e demaskuan veten kur nxituan ta propagandonin këtë vlerësim sapo ai u publikua. "Kjo tregon edhe një herë qëllimin e tyre dashakeq për t'i përdorur gënjeshtrat mbi Xinjiang-un për të kontrolluar Kinën, duke dëshmuar se cilët janë ata që qëndrojnë pas këtij vlerësimi të rremë. Kjo është gjithashtu dëshmi se vlerësimi i OHCHR-së është i bazuar në skemën politike të disa forcave të huaja antikineze dhe se OHCHR-ja është bërë zbatuese dhe bashkëpunëtore e ShBA-së dhe e disa forcave perëndimore në ngacmimin e vendeve në zhvillim," vuri në dukje zëdhënësi.

Ai shtoi më tej se ShBA-ja e disa vende të tjera perëndimore nuk mund të përfaqësojnë kurrsesi bashkësinë ndërkombëtare, pjesa kryesore e së cilës e kundërshton publikimin e këtij vlerësimi të pavërtetë dhe është mjaft e shqetësuar për faktin që ShBA-ja dhe forcat e tjera perëndimore kanë bërë përpjekje të mëdha për t'i bërë presion OHCHR-së ta publikojë atë. Kohët e fundit, më shumë se 60 vende i kanë dërguar një letër të nënshkruar bashkërisht Komisioneres së Lartë, ku theksuan se çështjet e Xinjiang-ut janë punë të brendshme të Kinës dhe shprehën shqetësim të thellë për hartimin e paautorizuar prej OHCHR-së të të ashtuquajturit vlerësim për Xinjiang-un. Gati 1 000 OJQ kineze dhe të huaja i kanë dërguar gjithashtu një letër të përbashkët Komisioneres së Lartë për të shprehur kundërshtimin e tyre të fortë ndaj publikimit nga OHCHR-ja të një "vlerësimi të paautorizuar dhe të pavërtetë" për Xinjiang-un, vuri në dukje Zhao Lijian-i.

nga VCG

nga VCG

"Ajo ku duhet të përqendrohet vërtet OHCHR-ja janë shkeljet e të drejtave të njeriut që përfshijnë ShBA-në dhe disa forca perëndimore, si gjenocidi fizik e kulturor i amerikanëve indigjenë, trafikimi i qenieve njerëzore nga jashtë për skllavëri moderne dhe punë të detyruar, diskriminimi racial sistematik kundër pakicave, dhuna vdekjeprurëse nga armët, prapavajtja serioze e të drejtave të grave, torturat dhe abuzimet në burgjet e fshehta jashtë vendit, sanksionet e njëanshme që rrezikojnë të drejtat e njeriut në vende të tjera, vrasja e civilëve në operacionet ushtarake jashtë vendit etj." u shpreh zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze. "I kërkojmë OHCHR-së të hedhë dritë mbi këto shkelje, të kërkojë përgjegjësit dhe të publikojë vlerësimet lidhur me to. Kjo është gjëja e përgjegjshme që duhet bërë për bashkësinë ndërkombëtare dhe viktimat e këtyre shkeljeve," shtoi ai.

Duke folur më tej lidhur me përbërjen e stafit dhe burimin e financimit të OHCHR-së, Zhao Lijian-i theksoi se ShBA-ja dhe disa vende të tjera perëndimore, me më pak se 10 % të popullsisë botërore, zënë më shumë se 80 % të posteve në OHCHR. "A mund të përfaqësojnë ata shumicën e botës?" pyeti ai, duke shtuar se vlerësimi i OHCHR-së mbështetet në skemën politike, presionin e dezinformimin e disa forcave të huaja antikineze. Sipas zëdhënësit, ky dokument e largon më tej OHCHR-në nga parimet e universalitetit, objektivitetit, paanësisë e mospolitizimit dhe tregon se OHCHR-ja është kthyer në një zbatuese të synimeve të ShBA-së e të disa forcave perëndimore për t'i detyruar vendet në zhvillim të ndjekin vijën e tyre. Për këto vende perëndimore, të drejtat e njeriut nuk janë gjë tjetër veçse një armë, u shpreh ai, duke vënë në dukje se një agjenci që vepron në këtë mënyrë kurrsesi nuk mund të përfaqësojë OKB-në, e aq më pak bashkësinë ndërkombëtare.

"Si pjesë e Sekretariatit të OKB-së, OHCHR-ja duhet të ndjekë e të zbatojë qëllimet dhe parimet e Kartës së OKB-së, të mbrojë sovranitetin e shteteve anëtare dhe të mos ndërhyjë në punët e tyre të brendshme. Me manipulimin e ShBA-së dhe forcave të tjera perëndimore, i ashtuquajturi 'vlerësim' i OHCHR-së bie ndesh me këto parime. Shtetet anëtare të OKB-së duhet ta mbajnë atë seriozisht përgjegjëse. Kina do të vazhdojë të ndjekë me këmbëngulje zhvillimin e të drejtave të njeriut me karakteristika kineze dhe do të kontribuojë më shumë në përparimin e të drejtave të njeriut në Kinë dhe në mbarë botën," u shpreh zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Zhao Lijian.