Ringjallja e lumit mijëvjeçar në Pekin
2022-09-03 10:23:00

Nga një lumë i turbullt dhe me erë të keqe, në një shtëpi të re për peshqit dhe bimësinë, lumi Liangshui i Pekinit, me një histori mbi 1400-vjeçare, ka pësuar një transformim rrënjësor gjatë nëntë viteve të fundit.

Lumi 68.41 km i gjatë përshkon shtatë rrethe në kryeqytetin kinez përpara se të derdhet në Kanalin e Madh, rruga ujore më e gjatë artificiale në botë, përcjell “Xinhua”.

Qëkur autoritetet në Pekin filluan një fushatë për të trajtuar ndotjen në lumenj në vitin 2013, lumi Liangshui ka rifituar vitalitetin dhe atraksionin për banorët.

Në një pjesë të lumit në Zonën e Zhvillimit Ekonomiko-Teknologjik të Pekinit, banorët tani shijojnë ujin e pastër dhe peizazhin e bukur gjatë gjithë vitit.

Autoriteti i Ujit të Pekinit llogariti se ata fillimisht duhej të rrisnin kapacitetin e trajtimit të ujërave të zeza për të përmirësuar cilësinë e ujit. Fabrika e ujit të ricikluar Huaifang, e vendosur në burimin e lumit Xiaolong, luajti një rol të madh në injektimin e ujit të freskët në lumë.

Me kalimin e viteve, autoritetet kryen gjithashtu pastrim të gjerë të lumenjve dhe rritën sipërfaqet e gjelbra në të dy anët e lumit në rreth 2.87 milionë metra katrorë.

Mbrojtja e mjedisit ujor kërkon jo vetëm masa nga autoritetet, por edhe përpjekjet e përbashkëta të banorëve.

Në vitin 2017, Pekini inicioi një sistem lumor në nivelet e qytetit, rrethit, vendbanimit dhe fshatit për të trajtuar ndotjen e ujit. Sipas sistemit, përgjegjësit për lumenjtë duhet të kryejnë të paktën një patrullë përgjatë lumit çdo muaj dhe të raportojnë aktivitete të paligjshme, siç janë derdhja e ujërave të zeza të patrajtuara dhe hedhja e mbetjeve industriale.

Përpjekjet e përbashkëta të autoriteteve dhe publikut kanë dhënë rezultat. Sipas Autoritetit të Ujit të Pekinit, gjatë nëntë viteve të fundit, 142 rrugë ujore të ndotura në të gjithë Pekinin janë pastruar të gjitha. Shkalla e trajtimit të ujërave të zeza të qytetit u rrit nga 83 për qind në vitin 2013 në gati 96 për qind.

Këtë vit, autoriteti i ujit do të nisë një tjetër fushatë trevjeçare në rrugët ujore të qytetit, për të përmirësuar më tej mjedisin e tyre ekologjik. (Irma)