Kina e ka kryer me sukses detyrën e vendit kryetar të radhës të KS-së
2022-09-02 21:00:36

 Mbledhje e Këshillit të Sigurimit(Foto:VCG)

Mbledhje e Këshillit të Sigurimit(Foto:VCG)

Kina e ka kryer siç duhet detyrën e vendit kryetar të radhës të Këshillit të Sigurimit të OKB-së gjatë muajit gusht, tha zëdhënësi i diplomacisë kineze Zhao Lijiang në një konferencë shtypi të organizuar të premten në Pekin.

Zhao vuri në dukje që, si vendi kryetar i radhës, muajin e kaluar Kina nxiti palët e ndryshme të ruajnë frymën e bashkëpunimit dhe të zbatojnë konceptin e sigurisë së përbashkët, të gjithanshme e të vazhdueshme, për të ndërtuar një arkitekturë të balancuar, të efektshme dhe të vazhdueshme të sigurisë në favor të sigurisë së përbashkët.

“Kina u ka bërë thirrje palëve t’i kushtojnë rëndësi forcimit të kapaciteteve të vendeve afrikane, duke shfrytëzuar Nismën e Sigurisë Globale, Nismën e Zhvillimit Global dhe rezultatet e Forumit të Bashkëpunimit Kinë-Afrikë, për të nxitur paqen e zhvillimin afatgjatë të Afrikës. Ndërkohë, Kina, së bashku me vendet e tjera anëtare të Këshillit të Sigurimit, kanë krijuar kushte të favorshme nëpërmjet nxitjes së dialogut për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me mjete politike dhe kanë trajtuar në kohë incidentet emergjente, duke kryer si duhet detyrat e Këshillit të Sigurimit për ruajtjen e paqes dhe të sigurisë botërore. Me një stil pune të hapur e të efektshëm dhe duke promovuar forcimin e solidaritetit dhe të bashkëpunimit të Këshillit të Sigurimit, Kina ka fituar vlerësim të lartë nga palët e ndryshme,” theksoi zëdhënësi.

Sipas tij, Kina do të vazhdojë të ngulë këmbë në multilateralizmin e vërtetë, duke bërë përpjekje të pandërprera bashkë me vendet e tjera anëtare të Këshillit të Sigurimit dhe të OKB-së për mbrojtjen e sigurisë së përbashkët, nxitjen e zhvillimit të përbashkët dhe ndërtimin e bashkësisë me fate të përbashkëta të njerëzimit.(Zhang Yan/Artan)