Astronautët kinezë të "Shenzhou-14" përfunduan ecjen e parë në hapësirë
2022-09-02 19:59:36

Astronautët kinezë, ose taikonautët siç njihen ndryshe, të misionit "Shenzhou-14" kryen me sukses të premten, në 00:33 sipas orës së Pekinit, aktivitetet e tyre të para jashtë stacionit hapësinor, të cilat zgjatën rreth gjashtë orë, sipas Agjencisë së Fluturimeve Hapësinore me Astronautë të Kinës (CMS).

Ecje në hapësirë e ekuipazhi i misionit "Shenzhou-14"(Foto:VCG)

Ecje në hapësirë e ekuipazhi i misionit "Shenzhou-14"(Foto:VCG)

Taikonautët Chen Dong dhe Liu Yang, të cilët dolën jashtë kabinës, u kthyen të sigurt në modulin laboratorik "Wentian" të stacionit hapësinor, pasi përfunduan të gjitha detyrat e planifikuara.

Sipas CMS-së, kjo ishte hera e parë që taikonautët dolën nga kabina e presionit e modulit laboratorik "Wentian" dhe kryen aktivitete jashtë stacionit hapësinor me ndihmën e krahut të vogël robotik.

Në bashkërendim ndërmjet hapësirës e Tokës dhe me taikonautin Cai Xuzhe brenda modulit laboratorik, Chen dhe Liu përmbushën një sërë detyrash, duke përfshirë instalimin e një grupi pompash të modulit laboratorik "Wentian", ngritjen e kamerës panoramike të modulit laboratorik dhe verifikimin e aftësisë për transferim të pavarur dhe kthim emergjent në anijen kozmike.

Gjatë aktiviteteve jashtë stacionit hapësinor u testuan aftësitë e bashkëpunimit midis taikonautëve dhe krahut të vogël mekanik, si edhe funksionimi e performanca e kabinës së presionit të modulit laboratorik "Wentian" dhe e pajisjeve mbështetëse të lidhura me aktivitetet jashtë, tha CMS-ja.

Anija kozmike "Shenzhou-14" u nis më 5 qershor dhe dërgoi tre taikonautë në kombinimin e stacionit hapësinor të Kinës për një mision gjashtëmujor.

Një pamje ekrani e marrë në Qendrën e Kontrollit të Hapësirës Ajrore të Pekinit më 1 shtator 2022 tregon astronautët e "Shenzhou-14" Chen Dong (lart) dhe Liu Yang duke kryer aktivitete jashtë modulit laboratorik "Wentian" të stacionit hapësinor. / "Xinhua"

Një pamje ekrani e marrë në Qendrën e Kontrollit të Hapësirës Ajrore të Pekinit më 1 shtator 2022 tregon astronautët e "Shenzhou-14" Chen Dong (lart) dhe Liu Yang duke kryer aktivitete jashtë modulit laboratorik "Wentian" të stacionit hapësinor. / "Xinhua"

Kjo është ecja e pestë jashtë stacionit hapësinor të Kinës. Ekspertët thonë se ajo është një ecje hapësinore me "njerëz të rinj, modul të ri, status të ri".

Zhang Yuedong, zëvendësdrejtori i Qendrës së Kontrollit të Hapësirës Ajrore të Pekinit, vuri në dukje se ecja e parë hapësinore e ekuipazhit të "Shenzhou-14" është "me rëndësi për ndërtimin e stacionit hapësinor kinez".

"Kjo është ecja e parë në hapësirë nga kombinimi i tanishëm i stacionit hapësinor me dy module," tha Zhang. "Që tani e tutje, aktivitetet jashtë stacionit hapësinor do të bëhen kryesisht nga kabina e presionit e modulit laboratorik 'Wentian'. Përgatitjet e ardhshme për shëtitjet në hapësirë do të jenë më të lehta. Meqenëse këtë herë janë testuar pajisjet mbështetëse dhe krahu i vogël robotik, tani jemi më të përgatitur për ecjet e ardhshme hapësinore".