Kina, e para ndër vendet në zhvillim për shpenzimet në kërkim-zhvillim vjet
2022-09-02 20:50:53

Foto:VCG

Foto:VCG

Intensiteti i shpenzimeve të Kinës për kërkim-zhvillim, ose përqindja e shpenzimeve për kërkim-zhvillim në produktin e brendshëm bruto (PBB), u rrit në 2.44 për qind në vitin 2021, thuhet në buletinin për kërkim-zhvillimin të Kinës për vitin 2021 të publikuar të mërkurën.

Kjo shifër, që shënon rritje në krahasim me 1.91 për qind që ishte në vitin 2012, e rendit Kinën në krye të vendeve në zhvillim dhe është më e lartë se niveli mesatar i Bashkimit Evropian, tha Liu Huifeng, studiues në Akademinë Kineze të Shkencës dhe Teknologjisë për Zhvillim.

Sipas buletinit, vjet Kina investoi 2.8 trilionë juanë (rreth 405 miliardë dollarë) në kërkim-zhvillim, 14.6 për qind më shumë se në vitin 2020. Ndër to, mbi 2 trilionë juanë, ose gati 77 për qind, u financuan nga ndërmarrjet.

Kina zuri vendin  e dytë në botë për shpenzimet për kërkim-zhvillim nga sektori korporativ vitin e kaluar, theksoi Liu.

Investimet e vendit në kërkimin bazë vitin e kaluar arritën 181.7 miliardë juanë, me një rritje prej 23.9 për qind në krahasim me vitin 2020, duke zënë 6.5 për qind të shpenzimeve të përgjithshme për kërkim-zhvillim dhe duke ruajtur një rritje prej 6 % për tre vjet rresht.

Në nivel province, Guangdong-u, Jiangsu-ja, Pekini dhe Zhejiang-u renditen të parët lidhur me shpenzimet për kërkim-zhvillim, duke i kaluar secili 200 miliardë juanët.

Sipas buletinit, një sërë provincash në Kinën Qendrore dhe Perëndimore, duke përfshirë Hubei-n, Hunan-in, Sichuan-in dhe Henan-in, u përfshinë në grupin e provincave me shpenzime prej 100 miliardë juanësh në kërkim-zhvillim.

Në vitin 2022, Kina pritet të shpenzojë më shumë se 3 trilionë juanë në kërkim-zhvillim, vuri në dukje Liu Huifeng-u.(Artan)