Presidenti i Kinës bën thirrje për një ekonomi shërbimesh të hapur dhe të përbashkët
2022-09-01 11:17:12

nga VCG

nga VCG

Presidenti kinez Xi Jinping bëri thirrje të mërkurën për një ekonomi shërbimesh të hapur e të përbashkët, për t'i dhënë hov rimëkëmbjes dhe zhvillimit të ekonomisë botërore.

Në një letër urimi për Panairin Ndërkombëtar për Tregtinë në Shërbime të Kinës (CIFTIS) për vitin 2022, që u hap të mërkurën në Pekin, kreu i shtetit kinez vuri gjithashtu në dukje se ky panair është një platformë e rëndësishme për Kinën për të zgjeruar hapjen, për të thelluar bashkëpunimin e për të udhëhequr inovacionin, duke dhënë ndihmesë për zhvillimin e sektorëve globalë të shërbimeve dhe të tregtisë në shërbime.

Sipas tij, Kina këmbëngul në promovimin e zhvillimit me cilësi të lartë me nivel të lartë hapjeje,  duke lehtësuar hyrjen në treg në sektorin e shërbimeve, duke e hapur më tej tregtinë ndërkufitare të shërbimeve, duke e zgjeruar funksionin e platformës për hapje dhe duke u përpjekur të krijojë një sistem të standardeve të larta për hapjen e sektorit të shërbimeve.

Xi Jinping theksoi gjithashtu se Kina është e gatshme të punojë me vendet e tjera për t'iu përmbajtur multilateralizmit të vërtetë dhe mbetet e përkushtuar për bashkëpunimin me përfitime të ndërsjella.

nga VCG

nga VCG

CIFTIS, panairi më i madh gjithëpërfshirës i tregtisë globale të shërbimeve, u hap në Pekin më 31 gusht dhe do të vazhdojë deri më 5 shtator në Qendrën Kombëtare të Konferencave të Kinës dhe parkun "Shougang".

Në edicionin e sivjetshëm, që ka si temë "Bashkëpunim për një zhvillim më të mirë, risi për një të ardhme më të gjelbër", ka një zonë ekspozimi me sipërfaqe 152 000 metra katrorë, si edhe një ekspozitë të shërbimeve të reja mjedisore në Qendrën Kombëtare të Konferencave të Kinës.

nga VCG

nga VCG

1 407 kompani marrin pjesë me prani fizike, 13.8 % më shumë se në vitin e kaluar, nga të cilat 446 përfshihen në listën e 500 kompanive më të fuqishme në botë të revistës “Fortune” ose janë udhëheqëse në sektorët e tyre.

Gjithsej 71 vende e organizata ndërkombëtare marrin pjesë në edicionin e këtij viti, duke përfshirë Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Zvicrën, Italinë, Australinë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.