Astronautët e “Shenzhou-14” fillojnë ecjen e parë në hapësirë
2022-09-01 20:59:10

 Astronautët e “Shenzhou-14” fillojnë ecjen e parë në hapësirë(Foto:CMG))

Astronautët e “Shenzhou-14” fillojnë ecjen e parë në hapësirë(Foto:CMG))

Taikonautët - siç quhen ndryshe astronautët kinezë - e misionit “Shenzhou-14” filluan ecjen e tyre të parë në hapësirë, ose aktivitetin jashtë stacionit hapësinor, të enjten më 18:26 sipas orës së Pekinit (ose 10:26 sipas orës së Grenuiçit). Ecja pritet të zgjasë rreth shtatë orë.

Taikonauti Chen Dong hapi kabinën e presionit të ajrit të modulit laboratorik “Wentian” të stacionit hapësinor kinez. Ai dhe astronautja Liu Yang dolën nga stacioni hapësinor për të kryer detyra, ndërsa pjesëtari i tretë i ekuipazhit, Cai Xuzhe, ofron mbështetje në modulin bazë.

Ata do të instalojnë pompa shtesë dhe do të ngrenë kamerën gjithëdrejtimëshe në modulin laboratorik.

Kjo ecje në hapësirë, e gjatë dhe e vështirë, është një proces i planifikuar me kujdes.

Astronautët e “Shenzhou-14” fillojnë ecjen e parë në hapësirë(Foto:CMG))

Astronautët e “Shenzhou-14” fillojnë ecjen e parë në hapësirë(Foto:CMG))

Wu Bing, kryeprojektuesi i stacionit hapësinor kinez nga Akademia e Teknologjisë Hapësinore e Kinës (CAST), shpjegon: "Përpara se të largohen, taikonautët së pari do të kalojnë nëpër kabinën e presionit të ajrit. Ata duhet të kontrollojnë pajisjet dhe veshjet e tyre hapësinore, të ulin presionin brenda kabinës dhe të kalojnë procesin e paraoksigjenimit."

Pjesa e dytë, ose operacioni kryesor jashtë në hapësirë, përfshin aktivitete të ndryshme, si "ecjen këmbadoras në sipërfaqen e anijes kozmike, afrimin dhe largimin nga krahët robotikë dhe instalimin e vënien në funksionim të pajisjeve në hapësirë," tha Wu.

Më pas, në rrugën e tyre të kthimit, astronautët duhet "të sigurohen që dyert të jenë të mbyllura dhe në kabinë të shtohet përsëri presioni". Ata gjithashtu duhet të "heqin siç duhet kostumet e tyre hapësinore".

Një ecje në hapësirë zakonisht zgjat tetë orë. "Është një përpjekje në ekip që kërkon bashkërendim ndërmjet taikonautëve, ekipit në tokë dhe anijes kozmike," theksoi Wu.(Artan)