Mëkati i ShBA-së
2022-09-01 16:25:31

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Më 30 gusht të vitit 2021, nisja e aeroplanit të fundit transportues të forcave amerikane nga Kabuli shënoi përfundimin e Luftës së Afganistanit, që zgjati për 20 vjet. Megjithëkëtë, nuk kanë përfunduar vuajtjet e afganëve të sjella nga kjo luftë, që filloi me pretekstin e antiterrorizmit.

Një biznesmen afgan tha: “Pa punë, pa punë! Askush nuk ka para, sepse askush nuk ka punë.”

Muhamad Sulaiman, ish-zëvendësministri i Industrisë dhe i Tregtisë i Afganistanit, u shpreh:

“Në fakt, afganët nuk kanë mundësi të gjejnë punë dhe të sigurojnë të ardhura në gjendjen e tanishme. Siç e thashë, kjo është pasojë e mospërfilljes së fuqive ndërkombëtare e rajonale.”

Sipas statistikave, gjatë 20 vjetëve lufta mori jetën e 174 mijë afganëve, duke përfshirë mbi 30 mijë civilë, ndërsa rreth 1/3 e afganëve janë bërë refugjatë dhe mbi gjysma përballen me urinë ekstreme.

Përfaqësuesi i përhershëm i Kinës në OKB Zhang Jun theksoi:

“Nëse ata nuk kanë të hanë, nuk mund të jetojnë. Si mund t'i çojnë vajzat në shkollë, pa folur pastaj për të realizuar pjesëmarrjen në politikë? ShBA-ja shprehet se u kushton vëmendje të drejtave të vajzave e grave afgane, dhe në të njëjtën kohë pakëson ndjeshëm ndihmën humanitare e të zhvillimit për Afganistanin, duke ruajtur sanksionet mbi këtë vend. Ky është një veprim i pamoralshëm dhe fatal.”

Pas tërheqjes së trupave, ShBA-ja jo vetëm ka ushtruar sanksione mbi Afganistanin, por edhe ka ngrirë disa miliardë dollarë pasuri të bankës qendrore afgane. Sipas bashkësisë ndërkombëtare, ky është një akt i pastër grabitjeje.

Zhang Jun shtoi: “Kjo nuk është vetëm shmangie nga përgjegjësia dhe braktisje e popullit afgan, por edhe vazhdim i gabimeve, duke përkeqësuar vuajtjet e afganëve.”

Eloi Fillion, drejtori i Zyrës së Kryqit të Kuq Ndërkombëtar në Afganistan, vuri në dukje:

“Një vit më parë, me fillimin e sanksioneve ekonomike mbi Afganistanin, sektori publik, veçanërisht shëndetësia, duke përfshirë spitalet, u përball me mungesë të madhe fianciare, sepse agjencitë e zhvillimit dhe institucionet financiare ndërkombëtare ndaluan dhënien e fondeve të nevojshme për funksionimin e shërbimeve publike.”

Abdul Latif Nazari, zv.ministri i Ekonomisë i qeverisë së përkohshme afgane, tha:

“Paratë e ngrira i përkasin popullit afgan dhe veprimi amerikan shkel të gjitha rregullat ndërkombëtare dhe normat e sjelljes njerëzore. Mund të them se kriza e tanishme ekonomike në Afganistan është shkaktuar nga ShBA-ja. Qeveria afgane përpiqet gjithmonë ta bindë ShBA-në t'ia dorëzojë pasuritë popullit afgan nëpërmjet bisedimeve e diplomacisë, sepse ata janë pronarët e vërtetë të këtyre pasurive.” (Fani)