Zona jugperëndimore e Kinës rifillon furnizimin e rregullt me energji elektrike
2022-09-01 14:37:57

Furnizimi me energji elektrike për ndërmarrjet industriale dhe tregtare në shkallë të gjerë është normalizuar në provincën Sichuan të Kinës jugperëndimore dhe komunën Chongqing, ku vala e vazhdueshme e të nxehtit kishte shkaktuar mungesa të mëdha të energjisë këtë verë.  

Ndërsa temperaturat kanë rënë, kërkesa për ajër të kondicionuar është ulur ndjeshëm, njoftoi Korporata Shtetërore e Rrjetit të Kinës, citon “Xinhua”.  

“Komuna tani ka furnizim të mjaftueshëm me energji elektrike dhe çekuilibri i furnizimit me energji elektrike është zbutur”,- tha Li Jun, zyrtar në degën Chongqing të korporatës.  

Të dhënat tregojnë gjithashtu se ngarkesa maksimale në Sichuan ka rënë nga 65 milionë kilovat në 48 milionë kilovat.

  

“Ndërsa rrjedhat e ujit në pellgjet kryesore të lumenjve janë rritur, prodhimi ditor i energjisë hidroelektrike në Sichuan është rritur në 520 milionë kilovat-orë (kWh), 23.8 për qind më shumë nga niveli më i ulët i regjistruar ditët e fundit”,- tha Luo Xiaoyi, zëdhënës i filialit të korporatës në Sichuan.  

Prodhimi i energjisë dhe kapaciteti i furnizimit të Sichuan tani janë në gjendje të plotësojnë kërkesën dhe oferta në thelb është rikuperuar, shtoi Luo. 

 

Konsumi ditor i energjisë elektrike nga ndërmarrjet industriale në shkallë të gjerë në Sichuan u rrit në 350 milionë kWh më 29 gusht nga 156 milionë kWh më 22 gusht, ndërsa konsumi i energjisë elektrike për banesa ra në 277 milionë kWh nga 473 milionë kWh në të njëjtën periudhë, duke treguar rifillimin e shpejtë të prodhimit industrial. (Elona)