Komiteti i OKB-së paralajmëron rritje të ndjeshme të krimeve të urrejtjes në SHBA
2022-09-01 11:02:00

Krimet e urrejtjes ne SHBA (Foto Xinhua)

Krimet e urrejtjes ne SHBA (Foto Xinhua)

Komiteti i Kombeve të Bashkuara për Eliminimin e Diskriminimit Racor (CERD) publikoi të martën gjetjet e tij mbi Shtetet e Bashkuara, duke vënë në dukje një rritje të konsiderueshme të krimeve të urrejtjes dhe rasteve të gjuhës së urrejtjes në vend, citon “Xinhua”.

Në raportin e tij, komiteti vuri në dukje gjithashtu një rritje të konsiderueshme të vdekjeve dhe lëndimeve të lidhura me armë zjarri në SHBA, të cilat prekin në mënyrë disproporcionale anëtarët e pakicave racore dhe etnike. CERD mbetet i shqetësuar për brutalitetin dhe përdorimin e forcës së tepruar ose vdekjeprurëse nga zyrtarët e zbatimit të ligjit kundër pakicave racore dhe etnike dhe mosndëshkimin e vazhdueshëm për abuzimet nga policia dhe oficerët e mbrojtjes së kufirit. Për më tepër, komiteti shprehu gjithashtu shqetësim lidhur me raportet e masave dhe nismave të reja legjislative në nivel shtetëror, që kufizojnë në mënyrë të padrejtë të drejtën për tubim paqësor pas protestave kundër racizmit në vitet e fundit në vend.

Komiteti konstatoi se personat që u përkasin pakicave racore dhe etnike janë të mbipërfaqësuar në sistemin e drejtësisë penale dhe të të miturve. Ata arrestohen në mënyrë disproporcionale, burgosen dhe mbahen në izolim për periudha shumë të gjata.

Sipas raportit, në SHBA, personat që u përkasin komuniteteve të pakicave racore dhe etnike dhe popujt indigjenë kanë qenë më të cenueshëm dhe të prekur në mënyrë disproporcionale nga pandemia Covid 19, si për sa i përket infektimit dhe shkallës së vdekjes, ashtu edhe në lidhje me ndikimin e saj social-ekonomik. (Elona)