Kina kërkon nga palët në Libi që të zgjidhin paqësisht mosmarrëveshjet
2022-09-01 15:21:09

Dai Bing, zëvendëspërfaqësuesi i përhershëm i Kinës në Kombet e Bashkuara, u bëri thirrje palëve në Libi që të ushtrojnë përmbajtje maksimale dhe të zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre përmes negociatave. Ai theksoi se Kina është thellësisht e shqetësuar për përleshjet e fundit në kryeqytetin Tripoli, citon “Xinhua”.  

Përleshjet në Tripoli midis grupeve të armatosura të lidhura me fraksionet rivale thuhet se kanë vrarë dhe plagosur rreth 200 njerëz.  

“U bëjmë thirrje palëve në Libi që të vënë në plan të parë interesat e tyre kombëtare dhe popullore, të kenë përmbajtje maksimale, të zgjidhin mosmarrëveshjet me mjete paqësore të dialogut dhe negociatave dhe të bëjnë çmos për të shmangur çdo dhunë”,- tha Dai në një konferencë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Libinë.  

Kriza libiane ka hyrë në vitin e 11-të. Ai vuri në dukje se situata paqësore ishte fituar me vështirësi dhe duhet të vlerësohej dyfish nga palët libiane.  

Duke theksuar se mjetet politike janë mjeti i vetëm i zbatueshëm për zgjidhjen e krizës libiane, Dai tha se Kina mirëpret faktin që palët në Libi kanë arritur një marrëveshje për shumicën e pikave mbi bazën kushtetuese për mbajtjen e zgjedhjeve.  

Ai i bëri thirrje Misionit Mbështetës të Kombeve të Bashkuara në Libi që të promovojë në mënyrë aktive dialogun dhe negociatat midis palëve libiane.  

Dai tha se rivendosja dhe zhvillimi i ekonomisë dhe përmirësimi i jetesës janë instrumentet kryesore për të sjellë paqen dhe stabilitetin në Libi, duke shtuar se nafta është një burim thelbësor të ardhurash për ekonominë libiane. (Elona)