Faturimi i energjisë me dy fasha nga 1 tetori
2022-08-31 10:41:42

Çmimi i energjisë elektrike për abonentët familjarë dhe biznesin e vogël nuk do të ndryshojë pavarësisht krizës që po kalon sektori energjetik në të gjithë botën. Gjatë një interviste televizive per Tv Klan, zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku njoftoi se duke nisur nga data 1 tetor do të vendoset si tavan fasha prej 800 kilovat/orë dhe konsumatorët familjarë, mbi këtë sasi, do të faturohen me vlerën e tregut.

“Fasha mbi 800 do të fillojë të konsiderohet me çmimin e tregut. Zbatimi, synimi jonë është që të fillojë më 1 tetor”, tha Balluku duke bërë të ditur se çmimet e energjisë në bursën ndërkombëtare kanë kaluar çdo parashikim, ku sot vlera arriti në 616 euro për megavat.”-theksoi Ministrja

Ministrja Balluku thekson  se nuk ka asnjë plan për ndërprerje të energjisë ndërsa shtoi se në terren për të ndaluar abuzimet, si nga konsumatorët familjarë ashtu edhe bizneset do të zbresë për kontrolle një task-forcë. Sipas Ballukut kaskada e Drinit është mirëmenaxhuar, teksa njoftoi se në fillim të shtatorit në Vlorë do të vendosen 2 anije që do të prodhojnë energji që njihen si termocentrale lundrues dhe të jenë të gatshme për prodhim në tetor.

Në interistën televizive Balluku tha se pavarësisht akuzave të opozitës, Balluku tha se Qeveria Shqiptare po menaxhon më së miri krizën në sektorin energjetik.

Ndërkohë Eksperti i energjitikës, Azmer Duleviç tha për Radio Ejani se situata energjitike paraqitet e vështirë.

“Situata elektroenergjitike në vendin tonë aktualisht që flasim paraqitet e vështirë pasi pjesa më e madhe e energjisë elektrike importohet në këtë periudhë të vitit pasi prodhimi vendas i energjisë elektrike, hidrocentralet dhe impiantet e tjera alternative mbulojnë vetëm 53% të nevojës për energji elektrike dhe afërsisht 47% ose 50% e rrumbullakosim importohet pra blihet nga importi. Por duke qenë se çmimi i energjisë elektrike për megavat/orë jashtë është me një cmim shumë të lartë. Aktualisht nëse i referohemi bursës kundra reze cmimi i një megavat/ore ka arritur 640 euro, pra është një shifër shumë e lartë krahasuar me muajin shkurt, apo muajin mars kur ishte në vlerat 300-350 euro është gati dyfish krahasuar me një vit me përparë është e pakrahasueshme është gati 9-fish - 10-fish  cmimi i megavat/ore më shtrenjtë. “ – thekson Duleviç.

Duke qenë se vendi ynë varet nga importi është pak më e vështirë pjesa e menaxhimit thonë ekspertët. Gjithësesi situata po mbahet nën kontroll nga autoritetet përkatëse.

“Përsa i përket pjesës së menaxhimit të kësaj situate kuptohet që Ministria përkatëse dhe KESH në tërësi mund të kishte vepruar më mirë, por kjo situatë erdhi e papritur ose le të themi u gjend përballë kësaj situate, pasi sic e thash dhe më herët vendi ynë varet tërësisht nga pjesa e importit përsa i përket 50% në këtë situatë të vitit që ka nevojë për ta blerë nga jashtë”.

Eksperti shpjegon edhe pjesën e fashave që do të nisin nga tetori.

“Kurse përsa i përket pjesës së fashave, fashat 800 kilovat/orë që u deklarua zyrtarisht dhe në një intervistë për një televizion nga ministrja Balluku do të jetë 800 kilovat/orë. Pra, cdo konsumator familjar, abonent familjar që konsumon 800 kilovat/orë dhe kush konsumon mbi këtë fashë + diferencën mbi 800 do ta paguajë me çmimin e tregut. Pra, deri në 800 kilovat/orë do të paguajë me çmim normal dhe më pas kush konsumon më tepër energji elektrike se 800 kilovat/orë normalisht diferenca do të paguhet me çmimin e tregut që sipas përllogaritjeve thuhet që do të jetë gati 3 herë, 3-fish më shtrenjte se çmimi i rregulluar pra i mbrojtur për abonentët familjarë. “- thote Duleviç.

Mungesa e një burse energjitike mbetet problem sipas ekspertëve të fushës.

“Përsa i përket vjeshtës, apo dimrit që pritet në muajt në vazhdim kuptohet që situata do jetë delikate pasi çmimet e energjisë elektrike janë të paparashikueshme dhe kjo vjen edhe si pasojë e mungesës së bursës në vendin tonë. Ne jemi i vetmi vend në Ballkan që nuk e kemi bursën e energjisë elektrike aktive dhe duke mos e pasur aktive normalisht që ne varemi direkt nga këto luhatjet e çmimit të energjisë dhe i referohemi bursës hungareze. Sipas një lancimi që është bërë nga FMN-ja, bursa shqiptare ALBPEX e energjisë elektrike do të jetë aktive në muajin nëntor por në mendimin tim personal mendoj se muaji nëntor është pak i vonuar pasi ne do të jemi në kulmin e krizës elektroenergjitike pasi dhe siç është deklaruar dhe vende të fuqishme evropiane si Gjermania normalisht do të kenë mungesë shumë të madhe për prodhimin e energjisë elektrike, pasi janë të varura tërësisht nga gazi rus, i cili përdoret si lëndë e parë për termocentralet me gaz për prodhimin e energjisë elektrike në shtetin gjerman.”