Kina premton rreth 15 milionë dollarë ndihmë urgjente humanitare për Pakistanin e goditur nga përmbytjet
2022-08-31 14:11:39

Një grumbull furnizimesh po ngarkohet, 30 gusht 2022, Chengdu, Kinë./CIDCA

Një grumbull furnizimesh po ngarkohet, 30 gusht 2022, Chengdu, Kinë./CIDCA

Qeveria kineze ka vendosur të ofrojë 100 milionë juanë (afro 14.5 milionë dollarë) ndihmë humanitare urgjente, duke përfshirë 25 000 tenda dhe materiale të tjera ndihme në rast fatkeqësie që i nevojiten urgjentisht Pakistanit të goditur nga përmbytjet, bëri të ditur të premten e kaluar Zheng Yuandong nga Agjencia e Bashkëpunimit për Zhvillimin Ndërkombëtar e Kinës (CIDCA).

CIDCA njoftoi se Forcat Ajrore Kineze do të dërgonin dy avionë "Y-20" të martën dhe të mërkurën, që do të kryenin gjithsej katër fluturime për të dërguar kontingjentin e parë më të nevojshëm prej 3 000 tendash në zonat e goditura nga fatkeqësia. Dy avionë u nisën nga Aeroporti Ndërkombëtar "Shuangliu" i Chengdu-së të martën në mëngjes dhe mbërritën po atë ditë në aeroportin e Karaçit.

Zheng u shpreh po ashtu se Shoqata e Kryqit të Kuq e Kinës ofroi një ndihmë urgjente në para prej 300 000 dollarësh për Gjysmëhënën e Kuqe pakistaneze dhe ambasada kineze në Pakistan organizoi ndërmarrjet kineze në Pakistan të dhuronin 15 milionë rupi (250 000 dollarë) për Pakistanin.

Kina do t'i transportojë 22 000 tendat e mbetura dhe furnizime të tjera në zonën e katastrofës sa më shpejt të jetë e mundur, në përputhje me gjendjen e fatkeqësisë dhe nevojat e Pakistanit, tha Zheng.

Duke vënë në dukje se tani në Pakistan është stina e të korrave, ai u shpreh se CIDCA dhe ambasada pakistaneze në Kinë kanë ngritur një panel të përbashkët pune që do të përgjigjet për zbatimin e bashkëpunimit në vijim lidhur me ndihmat emergjente në fatkeqësi dhe do të ofrojë mbështetje për rindërtimin pas katastrofës, parandalimin e epidemisë dhe mungesën e ushqimeve sipas nevojave të Pakistanit.

Kina dhe Pakistani janë partnerë të bashkëpunimit strategjik dhe vende me një miqësi "të hekurt", tha Zheng, duke shtuar se CIDCA hartoi sa më shpejt që ishte e mundur një plan ndihme dhe forcoi bashkërendimin ndërmjet të gjitha departamenteve, duke u përpjekur për të siguruar sa më shumë burime për të përkrahur Pakistanin.

Në një deklaratë të postuar nga këshilltari i ambasadës së Pakistanit në Kinë, Naeem Iqbal Cheema, thuhet që Pakistani vlerëson thellë mbështetjen dhe ndihmën e qeverisë kineze, duke theksuar se "gjesti i vëllezërve dhe motrave tona kineze është shumë prekës".

Përmbytjet në pjesën më të madhe të Pakistanit kanë shkaktuar të paktën një mijë të vdekur pas ditëve të shirave të musonit që nga mesi i qershorit. Mbi 33 milionë banorë janë prekur deri më tani.