Zëdhënësi iranian: Ringjallja e marrëveshjes bërthamore të 2015-ës në interes të të gjitha palëve
2022-08-30 11:54:19

Një zëdhënës i ministrisë së jashtme iraniane tha të dielën se Irani është serioz për arritjen e një marrëveshjeje në Vjenë, sepse ringjallja e marrëveshjes bërthamore të 2015 është në interes të të gjitha palëve njofton Xinhua.

Palët në bisedimet bërthamore kanë arritur të zgjidhin shumicën e çështjeve që kanë të bëjnë me rivendosjen e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, e njohur zyrtarisht si Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit (JCPOA), citohet të ketë thënë Nasser Kanaani nga agjencia zyrtare e lajmeve IRNA.

Ai tha se ajo që ka ndodhur deri më tani në negociata pasqyron një trend pozitiv dhe në vazhdim, dhe ka mbetur pak çështje sensitive dhe të rëndësishme për t'u zgjidhur në bisedime.

Irani pohoi se zbatimi i çdo marrëveshjeje të mundshme bërthamore duhet të jetë reciproke dhe të gjithë anëtarët duhet të jenë të përkushtuar ndaj detyrimeve të tyre, vuri në dukje Kanaani.

Ai shpresoi se pala amerikane duhet të veprojë me mençuri, të ketë vullnet politik për të ndërmarrë veprime në kuadër të marrëveshjes bërthamore dhe të marrë parasysh pritshmëritë e Iranit.

Përgjigja e SHBA ndaj pikëpamjeve të Iranit mbi draftin përfundimtar të marrëveshjes së mundshme bërthamore të propozuar nga Bashkimi Evropian është duke u vlerësuar në takimet e ekspertëve në Teheran, tha Kanaani, duke shtuar se Irani do të japë përgjigjen e tij menjëherë pasi të arrijë në një përfundim.

Irani nënshkroi një marrëveshje bërthamore me fuqitë botërore në korrik 2015, duke rënë dakord të frenojë programin e tij bërthamor në këmbim të heqjes së sanksioneve ndaj vendit. Megjithatë, ish-presidenti i SHBA Donald Trump e tërhoqi Uashingtonin nga marrëveshja dhe rivendosi sanksione të njëanshme ndaj Teheranit, duke e shtyrë këtë të fundit të heqë disa nga angazhimet e tij sipas paktit.

Bisedimet për ringjalljen e marrëveshjes bërthamore filluan në prill 2021 në Vjenë, por u pezulluan në mars të këtij viti për shkak të mosmarrëveshjeve politike midis Teheranit dhe Uashingtonit.

Raundi i fundit i bisedimeve bërthamore u mbajt në kryeqytetin austriak në fillim të gushtit pas një pauze pesë-mujore. Më 8 gusht, BE-ja paraqiti një "tekst përfundimtar" të projektvendimit për ringjalljen e JCPOA.

Të mërkurën, Kanaani njoftoi se Teherani kishte marrë përgjigjen e Uashingtonit për propozimet e tij në lidhje me draftin e propozuar të BE-së.(Fatosi)