Kina: Gënjeshtrat për Xinjiang-un "do të falimentojnë besueshmërinë" e ShBA-së
2022-08-30 20:37:22

 

Korrje e tomateve, 27 gusht, Xinjiang(Foto:VCG)

Korrje e tomateve, 27 gusht, Xinjiang(Foto:VCG)

Pala kineze hodhi poshtë të hënën një raport nga Qendra e Angazhimit Global e Departamentit të Shtetit të ShBA-së, ku akuzohet Pekini për krijimin dhe përhapjen e dezinformacioneve në lidhje me Rajonin Autonom të Xinjiang-Ujgurit të Kinës.

Raporti "ngatërron të drejtën me të gabuarën dhe e zhvendos fajin", tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Zhao Lijian në një konferencë të përditshme shtypi kur u pyet për të komentuar raportin. Ai shtoi se gënjeshtrat e ShBA-së për Xinjiang-in vetëm do ta falimentojnë edhe më shpejt besueshmërinë e saj.

Zhao tha se Qendra e Angazhimit Global po kryen "propagandë dhe infiltrim" në emër të "angazhimit global" dhe është bërë burimi i informaconit të rremë.

Kina ka qenë prej kohësh viktimë e dezinformimit, dhe në veçanti  Xinjiang-u ka qenë nën goditje të ashpra nga fushata e ShBA-së në mbarë botën për përhapjen e lajmeve të rreme, theksoi zëdhënësi.

Sipas tij, për një kohë të gjatë, ShBA-ja ka propaganduar "gënjeshtrën e shekullit" për Xinjiang-un, për t'i shërbyer "skemës së saj dashakeqe të përdorimit të Xinjiang-ut për të kontrolluar Kinën", dhe këtë e kanë pranuar edhe disa zyrtarë të qeverisë amerikane.

Valltare në Xinjiang(Foto:VCG)

Valltare në Xinjiang(Foto:VCG)

“Në fakt, fushata e dezinformimit e ShBA-së lidhur me Xinjiang-un nuk është e re dhe metodat që ajo përdor janë diskredituar shumë herë", u shpreh Zhao.

Ai theksoi më tej se disa të ashtuquajtur studiues dhe disa media, platforma interneti dhe agjenci qeveritare furnizojnë dhe konsumojnë lëndën e parë të gënjeshtrave, dhe dezinformacioni në lidhje me Xinjiang-un përdoret më pas nga qeveria amerikane si pretekst për të ushtruar sanksione dhe presion mbi Kinën.

"Prodhuesit e gënjeshtrave dhe përhapësit e lajmeve të rreme kanë shumë frikë nga faktet dhe e vërteta," tha zëdhënësi i diplomacisë kineze, duke shtuar se Xinjiang-u është një rajon i sigurt e i qëndrueshëm tani, me një zhvillim të qëndrueshëm dhe ku banorët jetojnë të lumtur e të përmbushur.

"Ky është përgënjeshtrimi më i mirë dhe më i fuqishëm ndaj fushatës së dezinformimit të ShBA-së kundër Xinjiang-ut," shtoi ai.

Pavarësisht se sa gënjeshtra krijon ShBA-ja, ato nuk mund t'i mashtrojnë njerëzit në mbarë botën, nuk do të prishin harmoninë e stabilitetin e Xinjiang-ut dhe nuk do t'i mbysin zërat për drejtësi në bashkësinë ndërkombëtare, tha Zhao.

"Në fakt, ajo që bën ShBA-ja vetëm sa do të falimentojë besueshmërinë e saj me një ritëm edhe më të shpejtë," vuri në dukje zëdhënësi.