Pekini: ShBA-ja duhet t’i japë një përgjigje të përgjegjshme bashkësisë ndërkombëtare
2022-08-30 19:03:29

Zëdhënësi i diplomacisë kineze Zhao Lijiang u shpreh në një konferencë shtypi më 30 gusht se pala amerikane duhet të ndërmarrë veprime konkrete për të shëruar plagët e popullit afgan, duke i dhënë një përgjigje të përgjegjshme bashkësisë ndërkombëtare mbi çështjen e Afganistanit.

Ditët e fundit, një sondazh i kryer nga Instituti i Studimit të Politikave i CGNT-it tregoi se gati 80 % e afganëve të pyetur janë të mendimit se lufta e nisur nga ShBA-ja ishte një “dështim i plotë”.

“78.2 % e afganëve të pyetur u shprehën se veprimi i ShBA-së për të përmbysur pushtetin e një vendi sovran nën pretekstin e luftës antiterroriste është i gabuar. Vetëm 8.9 % e pjesëmarrësve janë të mendimit se ShBA-ja e ka mbajtur premtimin për ndërtimin e një Afganistani të qëndrueshëm, të fuqishëm dhe të lulëzuar. Lidhur me ngrirjen nga pala amerikane të 7 miliardë dollarëve fonde të bankës qendrore të Afganistanit, 74.1 % e të pyeturve janë të mendimit se kjo është ‘grabitje e pastër'”, tha z. Zhao për këtë sondazh.

Sipas tij, një vit pas largimit të trupave amerikane nga Afganistani, plagët e mëdha që la ShBA-ja në këtë vend ende rrjedhin gjak.

“Një vit më vonë, ShBA-ja jo vetëm nuk reflekton për përgjegjësinë e saj, por edhe vazhdon të krijojë pengesa të shumta gjatë procesit të rindërtimit të Afganistanit. Sipas të dhënave statistikore të publikuara nga Zyra e Bashkërendimit të Çështjeve Humanitare e OKB-së (OCHA), 25 milionë afganë jetojnë në skamje dhe 3 milionë fëmijë janë detyruar të heqin dorë nga shkolla. Ndërkohë, deri më 15 qershorin e sivjetshëm, të paktën 59 % e afganëve kishin nevojë për ndihmë humanitare, 6 milionë më shumë në krahasim me fillimin e vitit 2021. Për të gjitha pasojat e sipërpërmendura, ShBA-ja nuk mund të shfajësohet,” tha ai.

Zëdhënësi theksoi se pala amerikane duhet të reagojë ndaj thirrjeve të forta të popullit afgan dhe të bashkësisë ndërkombëtare, duhet kthyer menjëherë kapitalet e ngrira të bankës qendrore të Afganistanit, dhe të shërojë plagët që i krijoi popullit afgan, duke i dhënë një përgjigje të përgjegjshme bashkësisë ndërkombëtare.