Kina nxit ShBA-në të mos krijojë telashe për paqen dhe stabilitetin në ngushticën e Tajvanit
2022-08-29 20:53:52

 Manovra ushtarake të forcës ajrore të Kinës rreth Tajvanit, gusht 2022(Foto:VCG)

Manovra ushtarake të forcës ajrore të Kinës rreth Tajvanit pas vizitës së Nancy Pelosit , gusht 2022(Foto:VCG)

Kina u kërkoi të hënën Shteteve të Bashkuara që të mos krijojnë telashe për paqen dhe stabilitetin në ngushticën e Tajvanit, një ditë pasi dy anije luftarake amerikane lundruan nëpër këtë ngushticë.

Kryqëzorët amerikanë “Chancellorsville” e “Antietam” lundruan nëpër ngushticën e Tajvanit të dielën, kalimi i parë i tillë që kur kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA-së Nancy Pelosi bëri një vizitë provokuese në rajonin e Tajvanit të Kinës më 2 gusht.

Kalimi i luftanijeve amerikane ishte "shumë në përputhje" me "politikën e ‘Një Kine’" të ShBA-së, duke kërkuar "një Indo-Paqësor të lirë dhe të hapur", u shpreh një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë të dielën sipas “Reuters”-it.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Zhao Lijian e hodhi poshtë pretendimin e ShBA-së në një konferencë të rregullt për shtypin të hënën në Pekin.

Anijet luftarake amerikane shpesh tregojnë forcën nën pretekstin e "lirisë së lundrimit", gjë që nuk është një përkushtim ndaj lirisë dhe hapjes, por një provokim për të kërkuar "lirinë e shkeljes së qëllimshme", u tha Zhao gazetarëve.

“Kina i kërkon palës amerikane që të ndalojë cenimin e parimit të ‘Një Kine’, të respektojë këtë parim dhe dispozitat e tre komunikatave të përbashkëta kino-amerikane me ndershmëri dhe të mos krijojë telashe për paqen dhe stabilitetin në ngushticën e Tajvanit,” theksoi ai.(Artan)

Të dielën, Komanda e Zonës Lindore e Ushtrisë Çlirimtare Popullore të Kinës tha se kishte ndjekur dhe monitoruar nga afër anijet luftarake amerikane dhe ishte në gatishmëri të lartë për të parandaluar çdo provokim.(Artan)