Populli i Bishanit të Chongqing-ut i përcjell zjarrfikësit e Yunnan-it me mirënjohje të thellë
2022-08-29 11:39:17

                                                                                                            Foto nga CMG

Kur Wan Wan-i, një banore e fshatit Xiguan të distriktit Bishan të qytetit Chongqing në Kinën Jugperëndimore, dëgjoi se zjarrfikësit nga Yunnan-i, që erdhën për të ndihmuar në shuarjen e zjarreve në male, do të ktheheshin së shpejti në shtëpi, vendosi që të bënte diçka për t'u shprehur mirënjohjen. Ajo mbante një shportë me vezë të sapoziera në një kryqëzim në fund të kodrës ku ata po punonin të shtunën herët në mëngjes.

"Kjo është për zjarrfikësit," u shpreh Wan Wan-i.

Në kushtet e të nxehtit përvëlues dhe thatësirës, zjarre të shumta kanë shkatërruar shumë pjesë të Chongqing-ut. Të dielën, një zjarr shpërtheu në fshatin Hutou në distriktin Beibei të Chongqing-ut dhe, pa kaluar shumë, edhe në distriktin Bishan.

                                                                                                          Foto nga CMG                                                                                                

Më shumë se 700 punonjës shpëtimi nga provinca Yunnan e Kinës Jugperëndimore u dërguan për të ndihmuar në përpjekjet e shpëtimit.

Në aksion morën pjesë edhe fshatarët që jetojnë në rrëzë të kodrës. Ata përdorën motoçikletat e tyre për të transportuar zjarrfikësit në rrugët e ngushta malore.

Wan Wan-i ishte një nga vullnetarët e shumtë.

“I pashë zjarrfikësit në vijën e parë, me sy të mbushur me gjak, dhe pantallona të grisura krejt rreth gjunjëve. Trupat u ishin mbuluar me hi, vetëm dhëmbët u zbardhnin," kujton ajo.

Wan Wan-i bënte ushqime në shtëpi çdo ditë dhe i dërgonte në vijën e parë për t'u siguruar që zjarrfikësit të hanin ushqim të ngrohtë.

Zjarrfikësit në mal përfunduan punën e tyre dhe zbritën nga mali të shtunën, pas shuarjes së zjarrit të fundit të premten.

Foto nga CMG

Foto nga CMG

Të shqetësuara nëse do të kishin mjaft për të ngrënë në udhëtimin e tyre të kthimit në shtëpi, disa gra nga lagjja e Wan Wan-it sollën vezë në shtëpinë e saj dhe i thanë t'ua jepte zjarrfikësve.

"Do të jetë një udhëtim i gjatë. Po sikur t'i marrë uria gjatë rrugës?" u shpreh Wan Wan-i.

Ajo u tha gazetarëve se shumë fshatarë u ishin mirënjohës nga zemra zjarrfikësve.

Mesditën e së shtunës, të dy anët e rrugës rrëzë kodrës ishin mbushur plot me banorë që mbanin dhurata për zjarrfikësit që po largoheshin. Ata sollën ujë mineral, qumësht, ëmbëlsira, fruta dhe lule për të treguar mirënjohjen e tyre.

Zjarrfikësit e përshëndesnin pandërprerë turmën dhe shumë fshatarë dukej se ishin në prag të lotëve.