Kinë: Rajonet Tibet e Xinjiang, përmirësim të shërbimeve mjekësore me ndihmën e zonave të tjera
2022-08-28 15:17:41

Mjekët ndihmë vaksinojnë fëmijë, Tibet, 8 shtator,2020(Foto:VCG)

Mjekët ndihmë vaksinojnë fëmijë, Tibet, 8 shtator,2020(Foto:VCG)

Kina ka dërguar çdo vit punonjës mjekësorë nga spitalet kryesore në tërë vendin në institucionet mjekësore në Tibet dhe Xinjiang gjatë dekadës së fundit, gjë që ka përmirësuar ndjeshëm shërbimet mjekësore në të dy rajonet, tha Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë në një konferencë shtypi të premten.

Më shumë se 2 500 talente mjekësore të nivelit të lartë janë dërguar përvit në spitalet në rajonet autonome të Tibetit dhe Xinjiang-ut, ndërsa janë trajnuar më shumë se 1 000 ekipe mjekësore e 5 800 punonjës mjekësorë, si edhe janë përgatitur mbi 10 000 punonjës shëndetësorë të niveleve të ndryshme në të dy rajonet, tha Li Dachuan, zëvendësdrejtor i Zyrës së Administrimit Mjekësor të Komisionit Kombëtar të Shëndetësisë.

Ndihma mjekësore u është ofruar përkatësisht tetë spitaleve kryesore në Tibet dhe tetë në Xinjiang, bëri të ditur Li, duke shtuar se 13 spitale të tjera publike në nivel konteje në Tibet u përfshinë në program vitin e kaluar.

Mjek ndihmë në Xinjiang, 18 gusht 2022(Foto:VCG)

Mjek ndihmë në Xinjiang, 18 gusht 2022(Foto:VCG)

Falë programit, shërbimet mjekësore në të dy rajonet janë përmirësuar vazhdimisht dhe banorët vendorë kanë gëzuar një nivel më të lartë të shërbimeve shëndetësore, tha Hu Qiangqiang, zëdhënës i Komisionit Kombëtar të Shëndetësisë.

Në vitin 2020, jetëgjatësia mesatare e banorëve në Tibet arriti në 72.19 vjet, krahasuar me 68.17 vjet në 2013, tha Li. Në të njëjtin vit, jetëgjatësia mesatare në Xinjiang arriti në 74.42 vjet, sipas autoriteteve shëndetësore vendore.

Në tre vjetët e fundit, shkalla e vdekshmërisë amtare dhe asaj foshnjore në Tibet kanë rënë përkatësisht me 19.5 dhe 35.3 për qind, tha Li, duke shtuar se deri në fund të vitit 2021, shkalla e shërimit të të sëmurëve rëndë në spitalet që kanë marrë ndihmë në Tibet arriti në 89 për qind.

Në Xinjiang, sipas tij, janë krijuar ose përmirësuar një grup disiplinash kryesore në tetë spitalet që kanë marrë ndihmë mjekësore, të cilat mund të trajtojnë 332 sëmundje të rënda dhe 1914 sëmundje të zakonshme.(Artan)