Tajvani në rrjedhën e historisë
2022-08-26 12:00:33

Intervistë me dr. shkencave historike Gjon Boriçi

Vizita në Tajvan e  zyrtares së lartë të SHBA-së  Nancy Pelosi, e konsideruar nga Pekini zyrtar si shkelje e rëndë e “parimit të një Kine”, duke e cilësuar atë “farsë”, të papërgjegjëshme dhe me pasoja të rënda dhe me një ndikim të madh në marrëdhëniet midis Kinës dhe SHBA-së.

Reagimi i palës kineze ndaj kësaj vizite ka qenë jo vetëm diplomatik, por edhe politik, ushtarak dhe ekonomik.

Studjuesi Gjon Boriçi në intervistë për CMG

Studjuesi Gjon Boriçi në intervistë për CMG

Çfarë faktesh sjell historia lidhur me çeshtjen e Tajvanit ? Sa mund të ndikojnë përplasjet midis Kinës dhe SHBA-së  lidhur me mosrespektimin nga kjo e fundit të parimit “ të një Kine dhe sa ndikim ka kjo në stabilitetin botëror.

Dr. shkencave historike Gjon Boriçi, studjues  i historisë, por në mënyrë të posaçme i marrëdhënieve të Kinës  me Shqipërinë, si dhe i zhvillimit të Kinës në etapa të ndryshme të historisë së saj flet për momentet më të rëndësishme në historinë e Tajvanit. Në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës Boriçi analizon historikun e krizave që ka shoqëruar  këtë ishull, pjesë e Kinës.

Dr.shk. Gjon Boriçi: Kur Nancy Pelosi bëri vizitën e saj të lajmëruar në ishullin e Tajvanit, kjo nuk do të mbetej pa një përgjigje të forte politike nga ana e Republikës Popullore të Kinës, sepse Tajvani mbetet gjithmonë një çeshtje shumë e ndjeshme e Kinës dhe marrëdhënieve të këtij shteti me të gjitha vendet e botës dhe posaçërisht me SHBA-në.

Tajvani ka qenë gjithmonë pjesë e Kinës. Vetë historiku i këtij ishulli është i lidhur në mënyrë të pandashme me kulturën kineze, historinë, tragjedinë dhe tani flasim dhe me të ardhmen e Kinës.

Për herë të parë Tajvani u shkëput nga territori i Kinës gjatë një lufte që Kina në shekullin e 19-të pati me Perandorinë japoneze në vitin 1895, ku si pasojë edhe e prapambetjes së saj teknologjike e humbi këtë luftë dhe në Tajvan u vendos administrata perandorake japoneze, që e mbajti ishullin të pushtuar për një kohë të gjatë deri në Luftën e Dytë Botërore. Pastaj me humbjen e saj shkuan atje forcat nacionaliste të Chiang Kai-shek, pas humbjes së Luftës Civile. E gjithë kjo periudhë e pushtimit nga viti 1895 dhe në përfundimin e Luftës Civile në Kinë nuk është folur shumë për Tajvanin, sepse ishte nën juridiksionin e një fuqie të madhe perandorake. Ndodhi që kjo fuqi kur ishte duke e humbur luftën dhe këtu do të jap një shembull  specifik që në Konferencën e Kajros  kur fuqitë aleate të Luftës së Dytë Botërore, Aleanca Antifashiste vendosi shprehimisht dhe hapur që Tajvani është pjesë e Kinës dhe do t’i rikthehet Kinës menjëherë  sapo Japonia të kapitullonte,  në mënyrë të padiskutueshme, të patjetërsueshme dhe të plotë.

Tajvani gjatë pushtimit japonez (Foto nga Wikiwand)

Tajvani gjatë pushtimit japonez (Foto nga Wikiwand)

Situata e solli që Kina në ato vite shumë të vështira ishte në kulmin e përmbysjeve të mëdha. Vendi nuk kishte stabilitet dhe forcat në pushtet, forcat e Kuomintang-ut  nuk kontrollonin të gjithë territorin e Kinës dhe pasi përfundoi Lufta e Dytë Botërore në vitin 1945 Kina u përfshi në një luftë të tmerrshme civile, e cila zgjati deri në vitin 1949. Me fitoren e forcave të Mao Zedong u shpall Republika Popullore e Kinës dhe forcat e Chiang Kai-shek u strehuan në Tajvan, nën mbrojtjen e SHBA-së, specifikisht të gjeneralit George Marshall, i cili më pas u bë sekretari amerikan i shtetit.

Prej këtej filluan një sërë problematikash, ku e para ishte në vitin 1950 kur nisi Lufta e Koresë dhe kemi përplasjen e parë zyrtare ushtarake midis forcave të Kinës Popullore dhe ushtrisë amerikane dhe u arrit më pas një armëpushim. Ky do të ishte një mësim për vitet që do të vinin, sepse nëse do të ketë një përplasje të tillë ushtarake për Tajvanin, që shpresojmë të mos ndodhë asnjëherë, pasi kemi të bëjmë me dy shtete shumë të fuqishme, dy ekonomitë më të fuqishme të botës dhe nuk duhet të ndodhë ajo që quhet “shkatërrimi i ndërsjellë”.

Nga viti 1950 deri në vitin 1953 kur mbaron Lufta e Koresë dhe në vitin 1954 mblidhet Konferenca e Gjenevës për të vendosur piketat se si do të ishte Azia Juglindore, po ashtu dhe Vietnami pasi Franca ishte tërhequr nga humbja në këtë vend, duke i dhënë fund dominimit kolonial francez.

Këtu kemi krizën e pare në ngushticën e Tajvanit mes Kinës dhe SHBA-së, sepse me të drejtë asokohe Kina donte ta rikthente ishullin në sovranitetin e vet. Ndërsa SHBA e konsideronte rënien e Tajvanit nën autoritetin e Republikës Popullore të Kinës si një humbje të prestigjit të tyre, sepse e kishin bërë një kompromis përsa i përkiste Koresë, që gjysma e Koresë të ishte me sistem politik komunist dhe gjysma tjetër me një tjetër sistem, siç është dhe sot. Në rastin konkret për Tajvanin SHBA u investua shumë dhe vendosën aty Flotën e 7-të ushtarake, e cila do të mbronte të gjithë ishullin.

Politika e jashtme e Kinës u tregua e matur dhe duhet kuptuar që ishte një kohë e vështirë për Kinën që sapo kishte dale nga Lufta Civile dhe vendi duhet stabilizuar, ndaj një konflikt i ri me SHBA-në, aq më tepër që kjo e fundit ishte një fuqi bërthamore.  Kuptohet se çfarë politike duhet të ndiqte Kina për të mos shkuar më tej. Në fakt, vizita e Nancy Pelosit është kriza e katërt në ngushticën e Tajvanit.

E para ishte ajo për të cilën fola, në vitet 1953-1954, e dyta në vitin 1958, e treta në kohën e administrates së presidentit Klinton, në vitin 1995-1996, ku përsëri pati fërkime të forta diplomatike, por fatmirësisht ndaluan aty.

CMG: Nëse ndalemi tek diplomacia. Kemi të bëjmë me “parimin e një Kine”, ruajtjen e status quo-së midis dy ngushticave ka një sërë traktatesh të nënshkruara midis Kinës dhe SHBA-së lidhur me çeshtjen e Tajvanit. Çfarë përmbajtje kanë këto traktate ? Pse është kaq e vështirë për t’u respektuar këto traktate?

Dr.shk. Gjon Boriçi: Në diplomaci, vetë historia ka treguar se ndryshimet vijnë ngadalë. Në vitet 60-të të shekullit të kaluar SHBA filluan të ndërtojnë një strategji të re, sidomos pas ardhjes në pushtet të presidentit John Kennedy, “teorinë e dy Kinave”. Ndërkohë më parë, në vitet 50-të ishte pranuar si e vetmja përfaqësuese legjitime në mënyrë të padrejtë në OKB e ashtuquajtura “Republika e Kinës”, pra Tajvani, duke përjashtuar Republikën Popullore të Kinës.

Në vitet 60-të politika amerikane kishte vendosur një kusht për t’u njohur Republika Popullore e Kinës dhe anëtarësimi i saj në OKB duhej patjetër të njihej si shtet i pavarur edhe Tajvani. Një politikë e tillë u hodh kategorikisht poshtë nga Republika Popullore e Kinës me shumë të drejtë.

Shqipëria asokohe që kishte marrëdhënie shumë të afërta me R.P të Kinës e ka mbështetur politikën e një Kine, duke njohur vetëm R.P të Kinës. Është deklarata e famshme e vitit 1958 e qeverisë shqiptare dhe gjatë gjithë viteve 60-të të gjithë ambasadorët shqiptarë që kanë shërbyer në OKB kanë shprehur me force njohjen e R.P të Kinës dhe largimin e Tajvanit si uzurparor i të drejtave legjitime të Kinës në OKB, politikë e cila u arrit në vitin 1971 me Rezolutën e famshme shqiptare, e cila arriti të depërtojë në konjukturat e duhura ndërkombëtare për të bërë të mundur pranimin e R.P të Kinës në OKB dhe përjashtimin e Tajvanit si përfaqësues jolegjitim i Kinës në këtë organizatë.

Ka disa traktate që nuk kanë ardhur që në vitet 60-të, sepse R.P e Kinës nuk njihej ndërkombëtarisht . Në fundin e viteve 60-të ishte një politikë shumë e kujdesshme e administrates së presidentit Nixon, e cila ishte e interesuar që një shtet me 800 milion banorë, sa kishte Kina asokohe,  të vazhdonte të qëndronte e izoluar do të ishte problem për botën. Integrimi i R.P të Kinës në strukturat ndërkombëtare patjetër që do t’i shërbente paqes, zhvillimit ekonomik jo vetëm të Kinës, por mbarë botës.

Për këtë arsye u organizua dhe vizita sekrete e Kissingerit në Pekin, ku u diskutua për një vizitë të mundshme të presidentit Nixon, e cila do të realizohej në shkurt të vitit 1972. Duket e habitshme, por i vetmi shtet që kishte njohuri për bisedimet që u kryen midis Zhou Enlait asokohe kryministër i R.P të Kinës dhe këshilltarit të sigurisë kombëtare të presidentit Nixon, ishte Shqipëria.

Marrëdhëniet tepër të ngushta që ekzistonin midis dy vendeve dhe Shqipëria si zëri i Kinës në OKB, duke qenë se Kina e çmonte shumë si aleat Shqipërinë, vetë kryeministri Zhou Enlai thërriti më 17 korrik 1971, 5 ditë pasi ishte larguar Kissingeri, ambasadorin shqiptar në Pekin Xhorxhi Robo dhe me detaje i shpjegon se cili ishte thelbi i vizitës  së Kissingerit në Pekin.

Unë kam bërë një krahasim mes dokumenteve që kam gjetu dhe i kam në libër dhe asaj që ka shkruar në memuarin e tij Kissingeri dhe autorë të tjerë, lidhur me këtë vizitë dhe mund t’ju them që përputhshmëria është pothuajse e plotë

Shqipëria gaboi sa i përket vizitës së Kissingerit dhe presidentit Nixon po këtu është hapi i pare kur vetë Zhou Enlai i tha Kissingerit se “ne nuk njohim dy Kina”, për ta lidhur me aktualitetin e sotëm këtë. Ndonëse Kina në atë periudhë nuk ishte ende në OKB, kishte 16 vjet që amerikanët dhe kinezët bisedonin sepse diplomacia nuk i mbyll shtigjet dhe dyert dhe është biseduar në Varshavë, një vend i Traktatit të Varshavës dhe ishin pa asnjë rrugëdalje negociatat e asaj kohe. U deshën 16 vjet që të kuptonin të dyja palët se si mund të arrinin në një afrim të logjikshëm. Kissingeri e njoftoi presidentin Nixon se kjo është “themra e Akilit” që nuk duhet prekur.

Pasi presidenti Nixon bëri vizitën e tij të famshme në Pekin në 27 shkurt 1972, akoma duke qenë presidenti në vizitë atje, u firmos Deklarata e Shangait, kur vetë SHBA pranuan botërisht dhe hapur se ekziston vetëm një Kinë dhe Tajvani është pjesë e Kinës.

CMG: Në të njejtën kohë nëpërmjet traktateve është bërë shumë e qartë që SHBA mund të ketë marrëdhënie ekonomike, kulturore dhe tregtare me Tajvanin, por asnjëherë  nuk do të ketë marrëdhënie institucionale. Pikërisht ky ishte momenti i përplasjes që u krijua nga vizita e një autoriteti të lartë të SHBA-së, siç është zonja Pelosi

Dr.shk.Gjon Boriçi: Nëse i kthehemi sërish viteve 70-të rreth këtij ngërçi, siç është Tajvani në marrëdhëniet midis Kinës dhe SHBA-së është një deklaratë e kryetarit Mao e asaj kohe kur i thotë presidentit Nixon, duke i ndërprerë fjalën “Tajvani është çeshtje e vogël, bota është çeshtje e madhe. Tajvanin kemi kohë ta marrim”. Kjo tregon një largpamësi të kryetarit Mao për të ditur të priste. Ai e kuptonte se meqë ishte në moshë nuk do ta shikonte ditën që Tajvani do t’i rikthehej Republikës Popullore të Kinës, ashtu siç iu rikthye Hong Kongu në vitin 1997.

Tajvan (Foto CMG)

Tajvan (Foto CMG)

CMG: Kjo vizitë e kryeparlamentares amerikane Pelosi shkaktoi jo pak reagime të shumta sepse kemi të bëjmë me respektimin e “parimit të një Kine” . Sa ka ndikuar kjo vizitë në ekuilibrin e marrëdhënieve midis dy fuqive të mëdha?

Dr. shk. Gjon Boriçi: Që nga viti 2019 por kulmi arriti në vitin 2020 kur pati acarime në marrëdhëniet tregtare mes SHBA dhe Kinës dhe kjo vizitë është në vazhdën e këtyre acarimeve. Në vitin 1979 amerikanët me atë të ashtuquajturin “Taiwan Relation Act” kanë rënë dakord që Tajvani të mbrohet ushtarakisht prej SHBA-së në rast të një sulmi nga çfarëdo lloj shteti dhe ky është një tjetër ngërç i madh në marrëdhëniet  midis dy vendeve.

Amerikanët asnjëherë nuk e kanë mohuar Deklaratën e Shangait që Tajvani është pjesë e Kinës dhe ekziston vetëm një Kinë, por problemet ekonomike, të cilat janë gjithmonë në thelbin e mospërputhjes në çdo mosmarrëveshje që ekziston mes vendeve, pa diskutim kanë ndikuar shumë dhe në acarimin e kësaj situate.

Nëse shtetet duhet të jetojnë në paqe, paqja duhet të jetë legjitime. Asnjera pale nuk duhet të cënojë interesat e pales tjetër dhe të gjejnë harmoni në legjitimitetin e marrëdhënieve mes tyre. Nëse nuk ekziston kjo, në mënyrë të padiskutueshme do të ketë konflikt.

Në rastin konkret SHBA është një fuqi ekzistuese, kurse Kina një fuqi në rritje. Po të mos dine të gjejnë pikat e përbashkëta të bashkëpunimit, siç thotë ish sekretari amerikan i shtetit Henry Kissinger në një libër të fundit të tij për lidershipin se “nëse liderët përkatës nuk do të dine të gjejnë gjuhën e përbashkët duke qenë të logjikshëm në atë që kërkojnë, atëherë do të ndodhë ajo që quhet pashmangshmëria e tragjedisë” Këtë të gjithë duan ta mënjanojnë sepse kemi të bëjmë me dy fuqitë më të mëdha ekonomike të botës, që janë shtyllat e botës dhe bashkëpunimi i tyre ekonomik padyshim që sjell stabilitet jo vetëm rajonal, por global.

CMG: Në lidhje me librin e ish sekretarit amerikan të shtetit Kissinger, ka në të ndonjë aspekt lidhur me qetësimin e këtyre marrëdhënieve, duke shmangur krijimin e problemeve që prekin stabilitetin global

Dr.shk. Gjon Boriçi: Duke shfletuar këtë libër të fundit të tij, që është i korrikut të këtij viti ai bën një krahasim midis situatës aktuale kur flet për Kinën, dhe asaj që diskutoi ai me Zhou Enlain gjatë takimit të tyre të 11 korrikut të 1971. Ai vendos disa paralelizma shumë interesante në kuptimin që “po të donte secila pale të qëndronte në istikame nuk e di si do të shkonte puna e marrëdhënieve midis SHBA-së dhe Kinës.Lamë pas ato çfarë kishin ndërtuar administratat e tjera amerikane, që kishin ngritur mure të pakapërcyeshëm për të integruar një treg prej 800 milion asokohe dhe sot 1 miliard e 400 milion që janë një asset i jashtëzakonshëm ekonomik”

Liderët duhet të kenë logjikën, largpamësinë e duhur dhe gjenerozitetin për të kuptuar se e ardhmja është më e rëndësishme se sa e tashmja. Ky është një mesazh i forte për lidershipin aktual të të dy fuqive se çfarë duhet të lenë pas për të ndërtuar një të ardhme solide. Të ndërtosh të ardhmen kërkon një filozofi shumë më specifike dhe kërkon respekt reciprok. Të kuptuarit mire se çfarë kërkon njera pale dhe interesi i pales tjetër, do të jetë çelsi i suksesit.

Intervistoi Eda Merepeza