Përdorimi i teknologjisë për rritjen e cilësisë në bujqësi në Kinë
2022-08-25 17:46:17

Foto: VCG    

Akademia Kineze e Shkencave Bujqësore (CAAS) nisi një fushatë, nga mesi i gushtit, për të përmirësuar risitë shkencore dhe teknologjike te makineritë dhe pajisjet bujqësore në mbarë vendin. Bujqësia e Kinës, një nga qytetërimet më të lashta botërore, ka pësuar shumë transformime, duke nisur nga përdorimi i mjeteve të papërpunuara për bujqësi, tek integrimi i makinerive dhe teknologjive të avancuara në vitet e fundit.

Ndryshimet strukturore mbeten vendimtare për rritjen e produktivitetit bujqësor dhe forcimin e sigurisë ushqimore në vendin më të populluar në botë. Në fakt, me më pak se 10 për qind të tokës totale të punueshme në botë, dukej e pamundur për Kinën të ushqente një të pestën e të gjithë popullsisë së botës. Megjithatë, transformimet strukturore bujqësore të vendit, së bashku me industritë e tjera të lidhura, janë mbështetur nga risitë e mahnitshme shkencore dhe teknologjike të vendit.

Sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë, Kina është prodhuesi kryesor në botë i perimeve, frutave, shpendëve, produkteve të peshkimit, pambukut, vezëve, drithërave dhe mishit.

Ndërkohë, politikëbërësit e Kinës dhe palët përkatëse të interesit mbeten të përkushtuar për të shfrytëzuar burime shtesë për të përmirësuar produktivitetin e qëndrueshëm bujqësor, që vitet e fundit janë mbështetur nga përdorimi i teknologjive të reja digjitale, duke nxitur bujqësinë inteligjente, që përfshin teknologjinë e avancuar të informacionit dhe komunikimit (TIK), infrastrukturën në bujqësi, shfrytëzimin e internetit të gjërave (IoT), inteligjencës artificiale (AI), robotëve dhe dronëve për të forcuar zhvillimin rural.

Fermerët në fshatin Chailixi në qytetin Tengzhou të provincës Shandong  të Kinës lindore, prodhuesi më i madh në vend i perimeve dhe drithërave, i njohur në të kaluarën për përdorimin e mjeteve të thjeshta në bujqësi, si shatat, kanë kaluar në bujqësi inteligjente, vetëm me një “smartphone”. Fermerët vendës mund të monitorojnë temperaturën e ajrit dhe nivelet e dyoksidit të karbonit në serra në kohë reale dhe të kontaktojnë nga distanca ekspertët, për udhëzime mbi praktikat më të mira bujqësore që duhet të adoptohen për sezonin e mbjelljes, të cilat mund të përmirësojnë efikasitetin e prodhimit bujqësor dhe rigjallërimin e zhvillimit rural të vendit.

Krahasuar me disa vite më parë, fermerët kinezë po mbështeten shumë më tepër te dronët për monitorimin, spërkatjen dhe zbutjen e rrezikut në tokat e tyre bujqësore. Disponueshmëria e këtyre teknologjive digjitale u ka shërbyer më mirë fermerëve për të përfituar më shumë nga bujqësia inteligjente. Investimi i qeverisë kineze në zhvillimin e infrastrukturës vendase të TIK-ut ka dhënë rezultate të shkëlqyera, së bashku me mbështetjen e jashtëzakonshme të qeverisë për përparimet e bujqësisë inteligjente.

Që nga dhjetori 2021, numri i përgjithshëm i përdoruesve të internetit në Kinë kishte arritur në 1.03 miliardë, duke u rritur me 42.96 milionë nga dhjetori 2020, që përfaqëson një normë përdorimi të internetit prej 73 për qind, duke treguar një normë në rritje të përdorimit të internetit si në zonat rurale ashtu edhe në ato urbane.

Me këto shifra, që me shumë gjasa priten të rriten në vitet në vijim, i gjithë zinxhiri i vlerës bujqësore, nga prodhimi në marketing, po lidhet ngushtë me transformimin digjital që po redukton kostot e prodhimit bujqësor, po përmirëson efikasitetin dhe po krijon mundësi të reja pune për komunitetet lokale në zonat rurale.

Fermerët tani mund të kenë akses në tregjet e gatshme për produktet bujqësore nëpërmjet platformave të tregtisë elektronike, një rrugë që nuk ishte e disponueshme për ta vetëm disa vite më parë.

Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga “JD.com”, shitësi më i madh në internet i Kinës, që nga 4 shkurti 2022, vëllimi i transaksioneve në internet të produkteve bujqësore, bimëve dhe produkteve të tjera në këtë sektor është rritur me mbi 40 për qind në bazë vjetore, ndërsa qarkullimi i plehrave dhe kopshtarisë është rritur me përkatësisht 317 për qind dhe 247 për qind në bazë vjetore.

Në zonat rurale është rritur gjithashtu konsumi “online” i produkteve bujqësore. Përpara ekuinoksit pranveror, vlera e transaksionit të shërbimeve të teknologjisë bujqësore vendase ishte rritur me mbi 10 herë në bazë vjetore. Në zonat rurale të nivelit të qarkut, shërbimet e teknologjisë bujqësore ishin rritur me 20 për qind dhe pesha e vëllimit të transaksioneve u rrit nga 62 për qind në 82 për qind.

Një model i jashtëzakonshëm rritjeje që sqaron pse Plani Kombëtar për Informatizimin Bujqësor dhe Rural për Planin e 14-të Pesëvjeçar (2021-2026) i publikuar nga Ministria e Bujqësisë dhe Çështjeve Rurale më 9 mars 2022 propozon bujqësinë inteligjente si drejtimin kryesor për një zhvillim me cilësi të lartë të informatizimit bujqësor dhe rural.

Dhe ndërsa plani propozon që deri në vitin 2025 bujqësia inteligjente të arrijë një moment historik të ri ambicioz, shkalla e informatizimit të prodhimit bujqësor pritet të arrijë në 27 për qind dhe shitjet vjetore me pakicë në internet të produkteve bujqësore do të kalojnë 800 miliardë juanë (125.8 miliardë dollarë). Por ka ende shumë punë për të bërë për të arritur këtë qëllim.

Për të kapërcyer hendekun dhe për të mbështetur rritjen me cilësi të lartë që është thelbësore për bujqësinë e qëndrueshme, nevojitet që politikëbërësit dhe palët përkatëse të interesit të mbështesin ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM). Meqë ato përfaqësojnë pjesën më të madhe të të gjitha bizneseve në vend, duhen forcuar kapacitetet e tyre, veçanërisht të ndërmarrjeve me rritje të lartë, për të mbështetur kërkimin dhe zhvillimin për bujqësinë inteligjente, duke nxitur në këtë mënyrë prodhimin e teknologjive digjitale novatore për bujqësinë inteligjente në Kinë.