Ministri kinez i Mbrojtjes: Tajvani i përket Kinës dhe çështja e Tajvanit është punë e brendshme e Kinës
2022-08-25 15:22:25

Tajvani i përket Kinës dhe çështja e Tajvanit është punë e brendshme e Kinës, tha të mërkurën këshilltari i Shtetit dhe ministri kinez i Mbrojtjes Wei Fenghe.

Në një  videolidhje gjatë mbledhjes së 19-të të ministrave të mbrojtjes të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (OBSh) në Tashkent të Uzbekistanit, Wei vuri në dukje po ashtu se Kina e dënoi vizitën e kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA-së Nancy Pelosi në rajonin e Tajvanit dhe mori kundërmasa. Pozicioni i Kinës kuptohet dhe mbështetet nga më shumë se 170 vende dhe organizata ndërkombëtare, gjë për të cilën Kina ka shprehur vlerësimin e vet, theksoi ai.

Wei tha se shoqëria ndërkombëtare po përballet me kriza të shumta dhe sfida serioze. "Është e rëndësishme të bashkohemi dhe të kapërcejmë vështirësitë në këtë moment kritik. Kina është e gatshme të punojë me vendet e tjera për të ruajtur drejtësinë dhe paqen botërore," shtoi ai.

Ministri kinez i Mbrojtjes Wei Fenghe vuri në dukje më tej se OBSh-ja është një model i bashkëjetesës harmonike e i bashkëpunimit me përfitime të ndërsjella ndërmjet vendeve të qytetërimeve dhe sistemeve të ndryshme politike. Ai u kërkoi departamenteve të mbrojtjes dhe ushtrive të shteteve anëtare të kësaj organizate të krijojnë konceptin e një bashkësie të sigurisë së përbashkët, për të thelluar bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë.