Agjencia e BE-së: Evropa përballet me thatësirën më të keqe në 500 vjet
2022-08-25 16:56:04

Foto: VCG

Observatori Evropian i Thatësirës ka deklaruar se Evropa po përjeton thatësirën e saj më të keqe në të paktën 500 vjet, me pothuajse dy të tretat e kontinentit në gjendje alarmi ose paralajmërimi.

Në raportin analitik të gushtit, agjencia e Bashkimit Evropian tha se rreth 47 për qind e Evropës është në kushte paralajmëruese për shkak të mungesës së madhe të lagështisë së tokës, citon “Xinhua”. Ndërkohë,  17 për qind e vendeve janë në gjendje alarmi.

"Thatësira e madhe që ka prekur shumë rajone të Evropës që nga fillimi i vitit është zgjeruar dhe përkeqësuar më tej që nga fillimi i gushtit",- thuhet në raport, duke shtuar se rajoni i Evropës Perëndimore-Mesdheut ka të ngjarë të përjetojë kushte më të ngrohta dhe më të thata se zakonisht deri në nëntor.

Thatësira ka ndërprerë prodhimin e energjisë elektrike dhe ka ulur rendimentet e kulturave të caktuara, sipas raportit.

Thatësira aktuale duket të jetë më e keqja në të paktën 500 vjet, duke supozuar se të dhënat përfundimtare në fund të sezonit konfirmojnë vlerësimin paraprak, tha Komisioni Evropian në një deklaratë.

Prodhimi i hidrocentraleve ka pësuar një goditje, me ndikim të mëtejshëm tek prodhuesit e tjerë të energjisë për shkak të mungesës së ujit për të ushqyer sistemet e ftohjes.

Nivelet e ulëta të ujit kanë penguar transportin lumor, me ngarkesat e reduktuara që ndikojnë në transportin e qymyrit dhe naftës. (Elona)