Një panair pune në provincën Guizhou të Kinës Jugperëndimore, 23 qershor 2022. /CFP
Kina është zotuar të vazhdojë të forcojë politikat për t'i dhënë përparësi punësimit përballë sfidave në rritje me të cilat përballet tregu vendës i punës.
Zëvendësministri i Burimeve Njerëzore dhe i Sigurimeve Shoqërore Li Zhong tha të enjten se qeveria do të vazhdojë të mbështesë tregun e punës duke përdorur politika fiskale, monetare, industriale etj., si edhe do të inkurajojë sipërmarrjen dhe do të fokusohet në sigurimin e punësimit të të diplomuarve, punëtorëve nga fshati dhe të atyre që kanë vështirësi punësimi.
Li i tha këto gjatë një konference shtypi të enjten, ku autoritetet bënë një përmbledhje të përparimit dhe arritjeve të vendit në drejtim të punësimit dhe sigurimeve shoqërore gjatë dhjetë vjetëve të fundit, që nga Kongresi Kombëtar i 18-të i Partisë Komuniste të Kinës (PKK) më 2012.
Prirjet e punësimit urban dhe rural kanë pësuar ndryshime historike gjatë dekadës së fundit, u shpreh Li.
Në vitin 2014, përqindja e të punësuarve në zonat urbane e tejkaloi për herë të parë atë në zonat rurale, duke arritur 62.7 për qind në vitin 2021, me një rritje prej 13.8 pikë përqindjeje krahasuar me vitin 2012.
Sipas Li, struktura e punësimit të Kinës gjithashtu është optimizuar vazhdimisht, me rritjen e përqindjes së të punësuarve në sektorin tretësor nga 36 për qind që ishte më 2012 në 48 për qind vjet.
Niveli i përgjithshëm i punësimit të më shumë se 80 milionë të diplomuarve ka mbetur i qëndrueshëm gjatë dekadës së fundit. Numri i përgjithshëm i punëtorëve nga fshati është rritur në 290 milionë, ndërsa numri i punëtorëve të dalë nga varfëria ka qenë mbi 30 milionë.
Pavarësisht këtyre arritjeve, mbeten sfida të ndjeshme, vuri në dukje Li, duke thënë se, si vendi më i populluar në zhvillim në botë, punësimi në Kinë ka qenë gjithmonë nën presion dhe kontradikta e papunësisë strukturore është bërë më e theksuar, ndërsa pasiguritë janë rritur.
Foto nga VCG
Në vitin 2021, në qytetet dhe qytezat e Kinës u shtuan 12.69 milionë vende të reja pune. Vlerësohet se aktualisht ka rreth 800 milionë punonjës në Kinë, duke përfshirë shumicën e të diplomuarve në universitete këtë vit.
Me kaq shumë njerëz të mirarsimuar, të aftë dhe të zellshëm të punësuar në sektorë të ndryshëm, Kina është pasuruar ekonomikisht, kulturalisht dhe shkencërisht, dhe ndërsa Kina bëhet më e fortë dhe më e begatë, e gjithë bota përfiton prej saj. Por një numër kaq i madh të rinjsh të papunë është një shqetësim për të gjithë në Kinë.
Tashmë të rinjtë në Kinë përballen me normë rekord papunësie.
Shkalla kombëtare e papunësisë urbane në Kinë është ulur, duke rënë në 5.4 për qind në korrik, nga 5.9 për qind në maj, treguan të dhënat nga Zyra Kombëtare e Statistikave. Megjithatë, rinia kineze vazhdon të jetë një segment i popullsisë që përballet me presionin e punësimit.
Në korrik, një numër i madh të sapodiplomuarish hynë në tregun e punës, duke rritur papunësinë e të rinjve. Shkalla e papunësisë së të rinjve urbanë të moshës 16 deri në 24 vjeç arriti një rekord prej 19.9 për qind muajin e kaluar, me një rritje prej 0.6 pikë përqindjeje në krahasim me qershorin.
Foto nga VCG
Që nga fillimi i këtij viti, shpërthimi sporadik i pandemisë në vend ka ulur hapjen e vendeve të punës, tha Zhang Ying, drejtor i departamentit të nxitjes së punësimit në Ministrinë e Burimeve Njerëzore dhe Sigurimeve Shoqërore në të njëjtën konferencë shtypi. Veç kësaj, disa panaire punësimi janë anuluar ose shtyrë, duke krijuar më shumë vështirësi për të rinjtë që kërkojnë punë, shtoi ai.
Kina pati një rekord prej 10.76 milionë të diplomuarish nga universitetet në vitin 2022, sipas Zyrës Kombëtare të Statistikave, duke e bërë konkurrencën për punë më intensive se kurrë.
Zhang tha se Kina ka nisur një sërë masash të shënjestruara politikash për t'i ndihmuar këta të diplomuar të sigurojnë punë ose të fillojnë bizneset e tyre. Përpjekjet përfshijnë ofrimin e subvencioneve të punësimit e të sigurimeve shoqërore për inkurajimin e ndërmarrjeve që të marrin më shumë punonjës dhe të organizojnë shpesh veprimtari punësimi në internet ose me prani konktrete.
Për të ndihmuar të diplomuarit dhe për të ruajtur stabilitetin e punësimit, qeveria shpalli nëntë masa pro punësimit që do të zgjasin deri në dhjetor, sipas një qarkoreje të publikuar nga Ministria e Burimeve Njerëzore dhe Sigurimeve Shoqërore më 24 qershor.