Ambasadori kinez në Britaninë e Madhe, Liu Xiaoming bëri thirrje për bashkëpunim dypalësh me qëllim zgjidhjen e vështirësive në industrinë e çelikut. Ai botoi një artikull për këtë çeshtje, duke reaguar pas akuzave të disa politikanëve britanikë, sipas të cilëve industria britanike e çelikut ka pësuar humbje dhe shkurtim të vendeve të punës, për shkak të uljes së çmimit të shitjes së çelikut nga firmat kineze. Ambasadori Liu thekson në artikull se eksportet kineze në Britani nuk mund të akuzohen, pasi importet nga Kina përbëjnë vetëm një fraksion të totalit të importeve britanike të çelikut. Në vitin 2015, theksohet në artikull Britania importoi 6.7 milion ton çelik, nga të cilët vetëm 11% nga Kina.
Sipas ambasadorit kinez në Londër, nëpërmjet importimit të çelikut nga Kina, industritë britanike të makinave, pajisjeve mekanike apo materialeve të ndërtimit kanë ulur kostot e tyre dhe kanë rritur fitimet. Në fund të artikullit, Liu nënvizon se prodhuesit kinezë të çelikut po përballen me sfida serioze për uljen e kapacitetit të prodhimit, që pritet të shkaktojë shkurtimin e miliona vendeve të punës, gjë që nuk do të ndodhë në industrinë britanike të çelikut. (Eda Merepeza)