Kryeministri britanik, David Cameron dhe homologu i tij grek Alexis Tsipras zhvilluan të martën një bisedë telefonike mbi zbatimin e marrëveshjes së fundit mbi emigrantët BE-Turqi, bëri të ditur qeveria britanike.
Cameron përshëndeti autoritetet greke për kthimin në Tursi të refugjatëve në bazë të marrëveshjes, si dhe theksoi rëndësinë e "goditjes së trafikut të paligjshëm të refugjatëve në Mesdhe dhe të sistemimit në Europë," deklaroi zëdhënësi i qeverisë britanike.
Nga ana e tij, Tsipras tha se fluksi i emigrantëve është ulur ndjeshëm dhe shprehu mirënjohje për kontributin e personelit dhe ekspertizës britanike për zbatimin e marrëveshjes.
Sipas zëdhënësit, kryeministri britanik premtoi shtimin e ndihmës ndaj Greqisë gjatë javëve të ardhshme. Dy kryeministrat diskutuan dhe mbi negociatat mes palës greke, përfaqësuesve të Eurozonës dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) mbi rishikimin e programit të Greqisë. (Raela)