Ish-udhëheqësi kuban Fidel Castro reagoi për herë të parë pas vizitës historike së presidentit amerikan Barack Obama në ishull javën e kaluar.
Në një artikull të botuar në gazetën e Partisë Komuniste të Kubës, Granma, Castro tha se Obama u përpoq t'i joshte kubanët.
Ai shtoi gjithashtu se populli kuban duhet të kujtojë të kaluarën e agresionit amerikan si dhe embargon e tanishme tregtare.
Shtëpia e Bardhë reagoi pas botimit të artikullit të Fidel Castro-s.
Zëdhënësi Josh Earnest tha se reagimi i ish-udhëheqësit ishte shenjë e përmbushjes së misionit së vizitës.
"Fakti që ish-udhëheqësi kuban u ndje i detyruar të përgjigjet kaq forcërisht në lidhje me vizitën e presidentit, mendoj se është tregues i ndikimit të jashtëzakonshëm që dha vizita e presidentit Obama në Kubë."
Fidel Castro ka ruajtur mosbesimin ndaj Shteteve të Bashkuara për dekada të tëra, ndërsa disa presidentë amerikanë, që nga Eisenhower-i u përpoqën për ta larguar atë nga pushteti.
Castro u tërhoq nga qeverisja në vitin 2008, duke ia lënë pushtetin vëllait të tij Raul, i cili konsiderohet gjerësisht se ka një qasje më të zbutur ndaj Shteteve të Bashkuara. (Leftion Peristeri)