20160328Hotpot_2.m4a |
Kulla e dytë më e lartë në botë në Shangai
Qiellgëvishtësja më e madhe e Kinës, Kulla e Shangait "Shanghai Tower", pritet të hapet së shpejti. Me një lartësi prej 632 metrash ajo është e dyta në botë për nga lartësia pas Burj Khalifas në Dubai. Një ashensor i shpejtësisë së lartë është vendosur në këtë ndërtesë për të bërë të mundur që vizitorët të ngjiten në majë të platformës me 119 kate në 55 sekonda. Me këtë shpejtësi maksimale, ashensori do të kalojë 18 metra të ndërtesës në një sekondë. Kjo do të jetë një nga ndërtesat më të reja në Lujiazui, siç quhet Zona e Tregtisë së Lirë në Shangai.
Pallatet e vjetra "trukuar" me piktura
Ndërtesat e vjetra në qytetin lindor të Kinës, Hangzhou kanë marrë një "look" të ri kohët e fundit. Me dëmtime të jashtme për shkak të vjetërsisë së tyre, si rënie suvaje apo dhe të tjera godinat e pallateve dukeshin vërtet të shëmtuara. Ndaj u vendos që fasadat e tyre të zbukuroheshin me murale plot ngjyra. Kjo të kujton disi ngjyrosjen e pallateve të vjetra të Tiranës gjatë kohës kur kryeministri i sotëm Rama ishte kryebashkiak. Por ka një ndryshim, pasi pallatet e vjetra të kryeqytetit shqiptar janë ngjyrosur me figura gjeometrike, ndërsa ato të Hangzhout me murale të vërteta.
Hangzhou, nuk është kryeqytet si Tirana por është kryeqendra e provincës Zhejiang , tepër e njohur nga turistët vendës dhe të huaj dhe e vizituar prej tyre sidomos për bukuritë mahnitëse të Liqenit Perëndimor. Ngjyrosja e fasadave të këtyre pallateve të vjetra të banimit është pjesë e projektit të rinovimit të zonave të vjetra të qytetit.
Deri në 2020 Kina do të ketë 1.45 milion punonjës socialë
Kinës i nevojiten deri në vitin 2020 rreth 1 milion punonjës socialë, për të dhënë ndihmesën e tyre në urbanizimin e shpejtë të grupeve në nevojë. Ministri i Çeshtjeve Sociale të Kinës Li Liguo u shpreh ditët e fundit se në vend janë diplomuar 500 mijë punonjës socialë dhe janë krijuar mbi 180 mijë vende pune në sektorin social. Kina ka 4 686 institute private shoqërore, tha ministri Li.
Sipas strategjisë së zhvillimit të burimeve njerëzore në punën sociale në periudhën 2011-2020, numri i përgjithshëm i punonjësve socialë pritet të arrijë në 1 milion e 450 mijë deri në vitin 2020. Sipas ministrit ulja e nivelit të varfërisë do të jetë në focus të veprimtarisë së punonjësve socialë. Ata do të ndihmojnë për uljen e numrit të të varfërve kryesisht në fshat, duke ofruar shërbime për punëtorët migrantë, fëmijët dhe prindërit e tyre të moshuar që jetojnë në zonat rurale.
500 mijë pemë do të mbillen çdi vit në Sansha
Qyteti më jugor i Kinës, Sansha përgatitet të mbjellë 500 mijë pemë çdo vit, si një " nismë e re e ishujve të gjelbër". Sipas agjencisë kineze të lajmeve Xinhua, në Sansha, në Detin e Kinës Jugore, që shpesh përballet me tajfune dhe ka ujë të pijshëm të kufizuar, mbjellja e pemëve dhe rritja e sipërfaqes së gjelbëruar është jetike. Sipas studjuesve mbjellja e pemëve do të parandalojë erozionin e tokës si dhe do të përmirësojë mjedisin natyror të ishullit. Pemët që do të mbillen në Sansha janë kryesisht arra kokosi dhe drurë casuarina, të cilat mund të kenë jetëgjatësi në këtë territor me ajër të ngrohtë dhe të lagësht. Vitin e kaluar 300 mijë drurë frutorë u mbollën në ishujt dhe shkëmbijtë ujorë të Sanshasë, ku 90% e tyre mbijetuan duke e shndërruar zonën e shkretë në të gjelbëruar.
Një nismë interesante me titull "Internet plus pemë" është përshtatur për veprimtarinë e përdoruesve të internetit. Për 300 yuanë ose 46 dollarë në vit pjesmarrësit e nismës mund të bëhen pronarë të një druri arre kokosi në ishullin Zhaoshu, një ndihmesë të vyer në mbrojtjen e mjedisit.(Eda Merepeza)