Presidenti Barack Obama i bëri thirrje Kubës të përmirësojë qasjen ndaj të drejtave të njeriut.
Obama e bëri thirrjen ndërsa u takua në Havanë me udhëheqësin kuban Raul Castro gjatë vizitës historike që po zhvillon në ishull.
Duke iu përgjigjur presidentit amerikan, udhëheqësi kuban tha se asnjë vend nuk është i përsosur në fushën e të drejtave të njeriut.
"Cili vend i plotëson të gjitha standardet e të drejtave të njeriut? A e dini se sa? Unë e di. Asnjë. Ndaj mendoj se çështja e të drejtave të njeriut nuk duhet të politizohet, kjo nuk është e drejtë," tha Castro.
Ndërkohë presidenti Barack Obama tha se beson se embargoja ndaj Kubës do të përfundojë, por nuk dha ndonjë afat për të.
Megjithëatë, rivendosja e marrëdhënieve diplomatike midis dy ish-armiqve të luftës së ftohtë ka sjellë heqjen e shumë pengesave amerikane. (Leftion Peristeri)