Presidenti i Kinës Xi Jinping u takua të hënën në Pallatin e Madh të Popullit në Pekin me homologun e vet gjerman Joachim Gauck. Të dy liderët arritën konsensus për vazhdimin e konsolidimit të partneritetit të gjithanshëm strategjik kino-gjerman dhe për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh për përballimin e sfidave ndërkombëtare.
Xi Jinping vuri në dukje se Kina e ka mbështetur gjithmonë dhe me vendosmëri procesin e integrimit europian. Pala kineze dëshiron të nxitë bashkë me palën europiane ndërthurjen e projekteve të ndryshme të tyre, si të nismës "Një Brez dhe Një Rrugë" me Strategjinë Europiane të Zhvillimit, të projektit të Bashkëpunimit Ndërkombëtar në Kapacitetet e Prodhimit të Kinës me Planin Europian të Investimeve, si edhe të mekanizmave të bashkëpunimit Kinë-Europë Qendrore e Lindore dhe Kinë-BE. Numri një i shtetit kinez kërkoi po ashtu forcimin e partneritetit dypalësh në fushën e zhvillimit paqësor, të rritjes, të reformës dhe atë kulturore.
Presidenti gjerman Joachim Gauck u shpreh se vendi i tij e vlerëson rolin konstruktiv të palës kineze në çështjet ndërkombëtare dhe qëndrimin e hapur lidhur me nismën "Një Brez dhe Një Rrugë". Pala gjermane është e gatshme të vazhdojë bashkëpunimin dhe partneritetin me palën kineze.
Pas takimit mes tyre, Xi dhe Gauck ishin të pranishën në ceremoninë e fillimit të Vitit të Shkëmbimeve Rinore Kinë-Gjermani. (Vera/Artan Goga)