Kinë-Shqipëri, thellim i shkëmbimeve kulturore
  2016-03-22 11:34:54

Ministrja e Kulturës e Shqipërisë Mirela Kumbaro zhvilloi të hënën një takim me ambasadoren e Kinës në Shqipëri Jiang Yu. Kumbaro dhe Jiang shkëmbyen mendime mbi bashkëpunimin dhe shkëmbimet kulturore mes Kinës dhe Shqipërisë. Në këtë takim ishte i pranishëm edhe këshilltari politik i ambasadës kineze Bai Yunbin.

Ambasadorja Jiang u shpreh se miqësia tradicionale mes Kinës dhe Shqipërisë është e thellë. Shtimi i shkëmbimeve kulturore mes dy vendeve luan një rol të rëndësishëm për konsolidimin e miqësisë dhe shtimin e besimit të ndërsjellë e të bashkëpunimit me përfitime të ndërsjella. Vitin e kaluar, shkëmbimet kulturore mes Kinës dhe Shqipërisë patën arritje pozitive. Sivjet Kina dhe 16 vendet e Europës Qendrore e Lindore, duke përfshirë Shqipërinë, do të zhvillojnë Vitin e Shkëmbimeve Kulturore, çka do të ketë një rëndësi të madhe për zbatimin e konsensusit të arritur gjatë takimit në Suzhou për vendosjen e partneritetit në katër fusha mes Kinës e Europës, si edhe për shtimin e lidhjeve mes popullit kinez dhe popullit shqiptar. Pala kineze është e gatshme që, bashkë me palën shqiptare, ta shfrytëzojë këtë rast për të shtuar shkëmbimet kulturore dhe për të krijuar një gjendje të re në këtë fushë.

Ministrja shqiptare e Kulturës Mirela Kumbaro u shpreh nga ana e saj se vitin e kaluar, Shqipëria dhe Kina kanë pasur arritje të reja në shkëmbimet kulturore, si në botime, në media, në shkëmbimet mes të rinjve etj. Sivjet Shqipëria do të marrë pjesë aktivisht në veprimtaritë në kornizën e Bashkëpunimit "16+1", për të pasuruar shkëmbimet kulturore shqiptaro-kineze dhe për t'u dhënë gjallëri të re marrëdhënieve dypalëshe. (Jiang Lei)